“Ndërhyrje ilegale” e Pacollit në Panairin e Librit, reagon Lexhendari

Behgjet Pacolli ka promovuar jashtë protokollit të Panairit të Librit “Prishtina 2014” librin e tij të ri “Të lobosh për Kosovën”. Kjo ka bërë që ai për gati një orë të bllokojë qarkullimin e vizitorëve në hyrje të panairit. Organizatorët thanë se ngjarja e Pacollit nuk ka qenë e paralajmëruar, njofton gazeta JNK.

Lajme

05/06/2014 19:33

Shkrimtari Ibrahim Kadriu është dashur të fillojë promovimin e librit të tij të ri “Kapërcimi i ujit të madh” pa ndonjë prani të mediave, pasi ato kanë qenë të fokusuara në promovimin e librit të Behgjet Pacolli.

Promovimi i librit të Pacollit është bërë në stendën e shtëpisë botuese nga Shqipëria “Bota Shqiptare”, e cila gjendet në hyrje të Panairit.

Besian Zenelaj, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që organizon Panairin e Librit i ka thënë gazetës Jeta në Kosovë se Pacolli nuk ka lajmëruar fare Panairin për këtë promovim.

E promovimi i librit të Pacollit ka bërë që hapësira e panairit të mos e jetë  e lirë për qarkullimin e vizitorëve. Përpos kësaj, Pacolli ka shfrytëzuar promovimin e vëllimit të parë të librit të tij të ri që të flasë për lobimet e tij për Kosovën në Amerikë.

Dy orë pasi Pacolli “okupoi” një pjesë të Panairit të Librit, një kryetar tjetër partie që në fushatë po bën okupimin e qyteteve të ndryshme kosovare, e ka mirëpritur librin e ri të kryetarit të AKR-së.

Kryetari lexhendar i PF, Visar Arifaj, i cili publikisht kishte deklaruar se librin e mëhershëm të Pacollit “Nga sfida në sfidë” e ka të preferuar, ka thënë për JNK se mezi pret ta lexojë këtë libër të ri.

“Duke pasur parasysh arritjet në librin e mëhershëm, pres që libri i ri të jetë edhe më i mirë”, ka thënë Arifaj.