Ndalohen për 48 orë tre persona për 1 milion eurot e padeklaruara në Merdare, Prokuroria Speciale jep detaje

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpërlarje e parave”. Të dyshuarit janë A.L, A.K dhe E.A, dhe janë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare, pasi gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në një automjet që drejtohej nga njëri…

Lajme

24/02/2026 17:44

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë, tre persona të dyshuar për veprën penale “shpërlarje e parave”.

Të dyshuarit janë A.L, A.K dhe E.A, dhe janë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare, pasi gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në një automjet që drejtohej nga njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një shumë e madhe parash.

“Sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se shuma arrin në një milion euro. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka njoftuar Prokuroria.

Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë sot edhe Dogana e Kosovës.

Sipas njoftimit nga Dogana e Kosovës, automjeti është selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative. Fillimisht, ai është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë evidentuar indikacione për një hapësirë të dyshimtë të modifikuar në dysheme.

Pas këtyre dyshimeve, është kërkuar asistencë nga Policia Kufitare e Kosovës, e cila ka ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.

Gjatë kontrollit të përbashkët, zyrtarët kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.

Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar. Në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

Dogana thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, përfshirë skanerët X-Ray, mbetet një ndër mjetet kyçe në luftën kundër kontrabandës dhe veprimtarive të kundërligjshme financiare. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Prokurorisë: