Ndalimet e përsëritura në kufi, Koci: Po përballem me presion institucional nga autoritetet serbe

Avokati Arianit Koci ka ngritur shqetësime publike lidhur me trajtimin e tij në pikat kufitare me Serbinë, duke deklaruar se është ndaluar për verifikime shtesë në tri raste të njëpasnjëshme, pa asnjë shpjegim zyrtar. Sipas tij, procedura ka qenë e njëjtë çdo herë: pas skanimit të dokumentit të identifikimit, ai është udhëzuar të parkohet anash…

Lajme

29/03/2026 20:28

Avokati Arianit Koci ka ngritur shqetësime publike lidhur me trajtimin e tij në pikat kufitare me Serbinë, duke deklaruar se është ndaluar për verifikime shtesë në tri raste të njëpasnjëshme, pa asnjë shpjegim zyrtar.

Sipas tij, procedura ka qenë e njëjtë çdo herë: pas skanimit të dokumentit të identifikimit, ai është udhëzuar të parkohet anash dhe më pas i është nënshtruar kontrolleve shtesë që kanë zgjatur nga 13 deri në 30 minuta. Në fund, dokumentet i janë kthyer pa ndonjë arsyetim, duke u lejuar të vazhdojë rrugën.

Koci thekson se këto ndalesa kanë ndodhur ndërsa ai udhëtonte me veturë zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, së bashku me shefin e zyrës, dhe se për vite me radhë më parë nuk ka pasur asnjë problem në kalimet kufitare.

Ai e lidh këtë ndryshim me aktivitetin e tij profesional, konkretisht me angazhimin në koordinimin e mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës që dyshohen nga autoritetet serbe për krime të pretenduara lufte. Sipas tij, kjo ka rezultuar me përfshirjen e tij në sistemet e monitorimit të sigurisë në Serbi.

“Ky nuk është rast i izoluar, por presion institucional që synon të ndikojë në mbrojtjen ligjore dhe në ushtrimin e profesionit tim,” ka deklaruar ai.

Avokati shton se nuk është njoftuar për ndonjë procedurë ligjore ndaj tij dhe se veprimet e tij janë gjithmonë në përputhje me ligjin, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Në reagimin e tij publik, Koci ka kërkuar që qytetarët e Kosovës në Serbi të trajtohen në përputhje me standardet e Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjet vendore në fuqi.

Ai ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij profesional, duke theksuar se nuk do të ndalet nga këto veprime. Publikimi i tij, sipas tij, ka për qëllim dokumentimin e situatës në rast të ndonjë incidenti eventual gjatë ushtrimit të detyrës së tij si avokat në Serbi. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: