Ndahet nga jeta Ymer Gashi, ish-delegat i Kuvendit të Kosovës

Ka ndërruar jetë Ymer Gashi, një nga figurat historike të skenës politike të Kosovës, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rrugën drejt pavarësisë dhe themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ymer Gashi ishte delegat i Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990 si…

Lajme

22/06/2025 08:39

Ka ndërruar jetë Ymer Gashi, një nga figurat historike të skenës politike të Kosovës, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rrugën drejt pavarësisë dhe themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ymer Gashi ishte delegat i Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990 si dhe i Kushtetutës së Kaçanikut, duke hyrë kështu në historinë politike të vendit si një prej zërave të guximshëm të kohës.

Përveç angazhimit të tij në nivel qendror, ai ka shërbyer për një periudhë edhe si kryetar i Komunës së Suharekës para viteve ’90, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin lokal dhe konsolidimin e strukturave komunale në kohë të vështira.

Varrimi i Ymer Gashit do të bëhet, më 22 qershor 2025, në ora 17:00 në fshatin Muhlan të Suharekës.

Ndërsa në ora 15:00, nën patronatin e kryetarit aktual të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, do të mbahet ora komemorative, ku do të përkujtohet jeta dhe vepra e tij në prani të familjarëve, përfaqësuesve institucionalë, bashkëveprimtarëve dhe qytetarëve.