N’autobus, si populli

Vetëvendosje vazhdon ta promovojë transportin publik në vend të përdorimit të veturave në Kryeqytet. Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti premtojnë se do ta ndryshojnë këtë lloj transporti.

Lajme

18/10/2013 14:28

Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti nuk përdorën sot vetura për të shkuar nga qendra në një zyrë të Vetëvendosjes në Kodrën e Trimave.

Ata pritën pak minuta në një stacion, hipën në një autobus të trafikur urban dhe zbritën te stacioni më i afërt i destinacionit, te zyra e sapohapur e Vetëvendosjes në Kodrën e Trimave.

Shpend Ahmeti, ka shpalosur planin për zgjidhjen e çështjes së trafikut publik, i përdorur vazhdimisht nga kjo lagje. Ai ka kritikuar zyrtarët tjerë për luksin e udhëtimit.

“Duhet të vijë koha kur zyrtarët publikë fillojnë e udhëtojnë me transport publik e jo me xhipa luksoz e të shtrenjtë”.

“Duhet të vijë koha kur transporti publik të forcohet aq sa qytetarët të preferojnë të udhëtojnë me transport publik e jo me makina private, gjë e cila e ka rënduar trafikun e qytetit të Prishtinës”.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se ka ide ta ndryshojë menjëherë dhe përgjithmonë transportin publik.

“Është evidente që njerëzit që udhëtojnë me autobus, janë kryesisht këmbësorë dhe me planin e tij, Shpend Ahmeti dëshiron t’ia kthejë qytetin e Prishtinës këmbësorëve dhe publikut”.

“Këtë po e bën edhe me shembullin e tij duke mos qarkulluar me veturë luksoze, por duke u bërë bashkë me qytetarët. Është për të të ardhur keq që në rrugët e qytetit të Prishtinës nuk ka asnjë përparësi për autobusin. Transporti publik trajtohet sikur se të ishte një veturë e zakonshme”.

“Këtë gjë me planin e Shpend Ahmetit dhe të ekipit të tij do ta ndryshojmë menjëherë dhe përgjithmonë në qytetin e Prishtinës”.