NATO: Çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

NATO vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për trafik të veturave duhet “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”. “KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s…

Lajme

20/08/2026 23:47

NATO vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për trafik të veturave duhet “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s për REL.

Lidhur me tërheqjen graduale të trupave të misionit të NATO-s në Kosovë nga ura kryesore mbi Ibër ditë më parë reagoi ministri në detyrë për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, që e cilësoi si lajm të mirë.

Ai tha se përveç largimit gradual të trupave të KFOR-it, do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës mbi këtë urë.

Sipas tij, ky proces do të jetë afatshkurtër dhe do të ofrojë garanci për të gjithë se “hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”.

“Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publik, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vjet do të jetë një kujtim”, ka thënë Sveçla për transmetuesin publik të Kosovës më 10 gusht.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

REL kërkoi koment nga NATO lidhur me një letër që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërgoi shefit të aleancës, Mark Rutte, duke i kërkuar që të ndalet zvogëlimi i pranisë së KFOR-it mbi këtë urë.

Zyrtari i NATO-s tha se Rutte “është në kontakt të rregullt me presidentin Vuçiq”.

Ai shtoi se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së saj të përhershme nga ura mbi lumin Ibër, “në linjë me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë”.

Sipas zyrtarit, kjo është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

Zyrtari i NATO-s theksoi se komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozgan Ulutash, mban kontakte me të gjithë homologët në Kosovë, me organizatat ndërkombëtare, por edhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, teksa kujtoi edhe takimin e Ulutashit me përfaqësuesit e Listës Serbe më 11 gusht, ku u bisedua për çështjen e pranisë së misionit mbi lumin Ibër.

KFOR-i, tha zyrtari, do të vazhdojë të zbatojë mandatin që i buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të ofrojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet”, tha zyrtari i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.