Nasim Haradinaj: Gjykata duhet me i qit emrat e veteranëve të rrejshëm, duhet të dënohen edhe ata
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”. Sipas aktakuzës, të pandehurit ( ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku,…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit ( ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari) e kanë dëmtuar buxhetin publik për 88 milionë euro, pasi si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit ua kanë mundësuar fitimin e statusit të veteranit në mënyrë të kundërligjshme personave të cilëve u kanë krijuar qëllimisht përfitim pasuror.
Lidhur me këtë vendim ka folur ish kryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj.
Ai tha se kjo krijon konfuzion, pasi sipas tij nuk dihet se kujt duhet të i besohet.
Haradinaj kërkoi nga Gjykata që emrat e veteranëve të rrejshëm duhet të publikohen.
“Tash kemi vendime gjyqësore ata duhet me i qit faktet se për cilët u dënuan këta. Për cilët u shpallën fajtor, edhe pse për mu ende s’janë fajtor derisa të merret fuqizimi i vendimit të plotëfuqishëm. Kështuqë ende nuk kemi të drejtë t’i quajmë fajtor derisa s’ka vendim të plotfuqishëm. Normal që Gjykata duhet me i qit emrat e veteranëve të rrejshëm. Qysh i dënon njerzit pa tregu se kush janë ata. Tepër kjo…”, deklaroi ai për Periskopin.
Ai po ashtu deklaroi se nëse dënohen Çeku me të tjerët për rastin me fryrjen e listave, duhet të dënohen edhe veteranët e rrejshëm që deri tani e kanë keqpërdorë, dhe po ashtu edhe politikanë.
“Nëse këta dënohen, duhet të dënohen edhe ata tjerët, edhe ata veteran që e kanë keqpërdorë, dhe ata politikanë që e kanë kriju, e kanë pru deri këtu duhet të dënohen edhe ata. Ky është vetëm një vendim i shkallës së parë që s’është i plotëfuqishëm dhe që nuk kemi të drejt t’i quajmë fajtor. Për mu mbeten ende të dyshuar deri në konfirmim të aktakuzës”, u shpreh ndër të tjera ai.
Ndryshe, gati 37 mijë janë përfitues nga skema për veteranët e luftës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas prokurorëve, numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga statusi i veteranëve mund të jetë deri në 19 mijë njerëz.
Pensioni i tyre mujor, tani është 204 euro.