Narkoza e vizave – Mit apo Realitet 

17:00 | 20 Dhjetor 2018

Foto nga: Agron HOTI

Pse ky shkrim?

Ky shkrim, i cili do të botohet në vazhdime, ka për synim të jep një pasqyrë ndryshe, apo thënë më mirë, një pasqyrë më krahasuese nga ajo që shohim, dëgjojmë dhe lexojmë në lidhje me problematikën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Shkrimi nuk ka për qëllim të mbrojë e sulmojë askënd, nuk ka për qëllim të relativizojë, neutralizojë, apo absolutizojë asgjë, nuk ka për qëllim t’i bëjë argatin askujt e as qefin dikujt, por vetëm mundohet të pasqyrojë një gjendje të një shteti që sapo ka dalë nga lëvozhga e tij dhe nga i cili, po kërkohet më shumë se sa në fakt ky shtet ka mundësi të ofrojë dhe reflektojë.

Po të ishte e lehtë që për 10 vite shtet, të arrihej qeverisje bavareze apo singapuriane, atëherë krijimi i shteteve të reja do të shënonte shifra rekorde në glob. Por, në një Kosovë me shtetësi ende të pakonsoliduar në rrafshin ndërkombëtar duke mos u njohur nga BE, OKB, NATO, OSBE, Këshilli i Evropës, etj, me një Serbi, bisedimet me të cilën absorbojnë tërë elanin politik të Kosovës që së paku 15 vite duke lënë anash problemet reale me të cilat përballet qytetari çdo ditë, me një të kaluar që mendja e njeriut vështirë se mund të përshkruajë vuajtjet dhe dhimbjet e popullit shqiptar, me rentabilitet dhe resurse të kufizuara për zhvillim ekonomik, me një kompleksitet qeverisjesh vendore e ndërkombëtare që vështirë t’i gjendet filli, sigurisht që është utopike të presësh më shumë.

Bota e sotme nuk është ajo që ishte dje, e nesërmja do të jetë tepër më ndryshe se sa e sotshmja, e shumë më ndryshe se sa e djeshmja. Përderisa prej 1945 deri në vitin 1990 kishim një botë bipolare, ku marrëdhëniet ndërkombëtare politike e ekonomike ishin pak a shumë brenda kornizave të një rendi ndërkombëtar, prej vitit 1990 e deri më sot bota është duke u përballur me një globalizim, i cili edhe pse ishte koncipuar që të rrisë shkëmbimet tregtare në shkëmbim që uljes së varfërisë dhe shpërndarjes së pasurisë te të gjithë, ai bëri krejtësisht të kundërtën, rriti monopolet, nxori nga binarët e rendin e dakorduar ndërkombëtar, nxiti shumë zhvillime kontradiktore dhe polarizoi botën si asnjëherë më parë.

Sipas ForeignAffairs, përderisa para vitit 2006 tri nga gjashtë kompanitë më të fuqishme në glob ishin kompani nafte dhe vetëm një e teknologjisë informative, në vitin 2016 brenda 6 kompanive më të fuqishme në glob mbeti vetëm një e naftës, ndërkohë që pesë tjerat gjitha gjigantë të teknologjisë informative. Sipas WorldEconomic Forum janë 20 kompanitë më të fuqishme në glob të teknologjisë informative dhe internetit që prijnë sot në glob për qarkullim financiar vjetor mbi 8 trilion dollarë, pra larg më shumë se sa ç’fitojnë kompanitë e naftës dhe industrisë së rëndë.

Intensifikimi i komunikimit në nivel global, rritja e shkëmbimeve tregtare në përmasa të papara, rritja e monopoleve anekënd globit kanë filluar të godasin qëllimin e globalizimit për një botë të hapur dhe pa barriera. Dhe këtë e ka mundësuar pikërisht interneti. Nuk ka shtet në botë që sot të mos jetë është i cenueshëm nga sulme të ndryshme kibernetike. Siguria e të dhënave personale kurrë nuk ka qenë më e rrezikuar. Pra, këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat është duke u përballur bota. Edhe Kosova nuk përbën përjashtim. Prandaj, në vend se Kosova të jetë pjesë e rrjeteve të ndryshme rajonale, e globale ajo vazhdon të mbetet e izoluar, e izolimi i vjen pikërisht nga projekti Evropian, për të cilin Evropa ka ëndërruar me shekuj të tërë.

Kërkesat e BE-së ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave janë sikur kur i kërkon një djaloshi/vajze 10 vjeçar/e që të vrapojë apo punojë sa një burrë/grua 20 vjeçar/e, diçka që anatomia e organizmit të njeriut nuk mund ta bëjë. Dhe meqë dhe shteti është si anatomia e organizmit të njeriut, atëherë është e pamundshme që një shtet i ri, me një të kaluar tepër të dhimbshme, me një mjedis rajonal të paqëndrueshëm, me një dinamikë globale që sot askush se kupton plotësisht, të arrijë që për 10 vite shtet të hyjë në konkurrencë me shtete që ekzistojnë që mbi 300 vjet e ndoshta edhe më gjatë.

Sigurisht që Kosova ka shumë probleme, por probleme – bile të mëdha – kanë edhe demokracitë më të fuqishme në glob. Fakti që shtetet me traditë nuk ja kanë dalë, e as që do ja dalin ndonjëherë, të krijojnë mjedise pa probleme, tregon që Kosova ka një rrugë të gjatë para vetes, shumë të gjatë, për të hyrë në konkurrencë me demokraci të zhvilluara. Një mendje e ftohtë e kupton që një fëmijë i lindur nuk mund të rritet për një ditë, por duhen vite për këtë, pra duhet rrjedha normale. Edhe shteti i lindur rishtazi nuk është më ndryshe, pra duhet të fillojë të ecën, të zhvillohet dhe të hyjë në konkurrencën rajonale e globale që nuk përfundon kurrë.

Mirëpo, ky shkrim nuk ka për qëllim të ngacmojë, lëmojë apo ledhatojë askënd, pra as atë që e pëlqen apo se pëlqen këtë shkrim. Krejt në të kundërtën shkrimi është merr e le sa të duash gjithnjë duke reflektuar për alternativa që i shërbejnë debatit publik për temën e liberalizimit të vizave që vazhdon ta mbajë shoqërinë e Kosovës në narkozë të pafund, ndërkohë që bota është duke bërë hapa gallopantë drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Evropa e Re

“Asnjë popull tjetër i botës nuk është aq i panjohur për evropianët e perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët. E megjithatë, ata janë popuj kryesorë, të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës. Por… ata sot nuk luajnë më ndonjë rol të veçantë. Ata janë të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është po aq i padrejtë, sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata, të cilëve nuk iu ka prirë fati.” (JohanTunman, 1774, Leipzig,  “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”. )

E fati dhe fakti që ishim “kryesorë” dhe “të lashtë” pothuaj asnjëherë nuk u mor parasysh nga Evropa. Nuk ka as edhe një popull të vetëm në Evropë të jetë dëmtuar më shumë se sa shqiptarët pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Përderisa Evropa pas Luftës së Dytë Botërore bënte plane për integrimin e gjithmbarshëm të saj, së paku të asaj pjesë perëndimore që ishte nën bllokun e NATO-s, shqiptarët e mbetur në hapësirat e ish-Jugosllavisë po terrorizoheshin para syve të botës dhe po depërtoheshin në Turqi. Shkaku i mos-prishjes së balancave mes perëndimit dhe lindjes qytetarët shqiptarë brenda hapësirave të ish-Jugosllavisë paguan çmimin më të rëndë që mund të paguajë një popull, e që ishte dhuna e terrori konstant para dhe përgjatë tërë trajektores jugosllave.

Drama maratonike e lëvizjes së lirë të njerëzve brenda Evropës kishte filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, duke u parë si nevojë e domosdoshme për të rritur komunikimin mes popujve si mundësia më e mirë për të qetësuar mendjet e nxehta që kishin terrorizuar Evropën shekuj me radhë. E tëra fillon më 19 shtator 1946 në Universitetin e Cyrihut, kur WinstonChurchill, Udhëheqësi Konservator Britanik, kërkonte pajtimin gjermano-francez dhe krijimin e një Organizate Evropiane si kusht për paqe dhe liri në gjithë kontinentin evropian.

E dërmuar nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, Evropa nga reaktive ndezi motorët për t’u bërë pro-aktive duke ndërmarrë një sërë hapash, të cilët kishin një qëllim të vetëm: afrimin e popujve evropianë që ndër shekuj ishin hasmuar me luftëra të pafundta dhe dërmuese. Në këtë drejtim u themeluan Këshilli i Evropës, Organizata Evropiane për Bashkëpunim Ekonomik (OEEC më vonë OECD), Komuniteti Evropian për Thëngjill dhe Çelik (ECSC), Komuniteti Ekonomik Evropian (EEC), NATO, OSBE, Politikat Ekonomike dhe Monetare të BE-së (EMU), Unioni Doganor, Tregu i Përbashkët i BE-së, Marrëveshja e Schengenit, Traktate të ndryshme, deri te Traktati i Lisbonës. Gjithsesi që të gjitha këto arritje as që do të mund të paramendoheshin pa mbështetjen e SHBA-së, interesi i cilës ishte luftimi i komunizmit.

Sigurisht që në këtë vazhdë BE kishte edhe dështimet e veta, ndër më kryesoret janë kundërshtimi francez i vitit 1954 për mos-themelimin e Komunitetit Evropian për Mbrojtje, nga frika e ri-militarizimit të Gjermanisë Perëndimore. Vlen të theksohet që ishte vetë Franca e cila kërkonte një lloj ushtrie evropiane përballë kërcënimeve të Bashkimit Sovjetik  dhe në fund pati votuar kundër. Dështim tjetër ishte edhe mosmiratimi i Kushtetutës së BE-së si rezultat i referendumit kundërshtues në Holandë dhe Francë në maj 2005.

Pa marrë parasysh të metave, projekti i BE-së, vazhdonte të shënonte progres deri në krizën financiare globale të vitit 2008 dhe krizën e refugjatëve sirianë gjatë vitit 2015 dhe 2016, e cila i dha goditjen më të madhe projektit evropian. Filloi me krizën greke, vazhdoi me Brexit dhe është duke vazhduar me rritjen e forcave populliste dhe nacionaliste gjithandej BE-së. Se si do të duket BE në vitet që vijnë mbetet të shihet edhe pse për ne s’ka alternativë.

Se sa i rëndësishëm ishte Projekti Evropian këtë e proklamonte edhe MargaretThatcher më 20 shtator 1988 në hapjen e vitit akademik pranë CollegeofEurope në Bryzh të Belgjikës, e cila fliste në një moment kyç të debatit mbretërues të saj asaj kohe të Britanisë së Madhe për të ardhmen e Evropës, ku kishin filluar të rriteshin zërat se në Britani të Madhe kishte lindur lëvizja euro-skeptike. Pra, lëvizjet në ardhje drejt bashkimit të Gjermanive, jepnin përcepsionin që brenda kontinentit evropian shumë shpejtë do të prisheshin balancat e fuqive, sepse një Gjermani e bashkuar do të kishte, ndër të tjera, armatën më të madhe në Evropë diçka që nuk mund të pranohej lehtë nga Franca dhe Britania e Madhe.

Zelli integrues

Pa marrë parasysh percepsione dhe zhvillimet politike, BE asnjëherë nuk ndali hapat integrues siç ishte qëllimi për lëvizje të lirë të njerëzve brenda një hapësire të caktuar. Më konkretisht 5 Shtete (Belgjika, Franca, Gjermani Perëndimore, Luksemburgu dhe Holanda) në vitin 1985 patën nënshkruar Marrëveshjen e Schengenit me qëllim të garantimit të lëvizjes së lirë të njerëzve brenda territorit të këtyre 5 Shteteve.

Vetëm pas 10 viteve angazhim maratonik të BE-së, pra më konkretisht në vitin 1995 kjo Marrëveshje kishte arritur të hynte në fuqi duke ngërthyer në vete edhe Spanjën dhe Portugalinë dhe duke e rritur numrin e shteteve anëtare nga 5 në 7. Sot hapësira e Schengenit ngërthen në vetvete 26 shtete, 22 nga të cilat janë Shtete Anëtare të BE-së. Përpos Shteteve Anëtare, hapësirën e Schengenit e shfrytëzojnë edhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.

E Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ende nuk janë anëtare të Shengenit edhe pse janë anëtare të BE-së. Zvicra e Norvegjia edhe pse nuk janë anëtare të BE-së janë pjesë e Schengenit. Britania e Madhe edhe pse anëtare e BE-së (deri në mars 2019) nuk ishte anëtare e Eurozonës dhe Zonës Schengen. Pra, siç shihet BE ka një sërë kombinimesh të ndryshme, sa që nganjëherë është e vështirë të dihet se kush ku është.

Megjithatë, kompleksiteti i BE-së nuk është në fokusin e këtij shkrimi. Përqendrimi këtu ka të bëjë me dramën maratonike të vizave për qytetarët e Kosovës, si të vetmit qytetarë të Evropës që ende nuk gëzojnë lëvizjen e lirë të premtuar, diçka që shkon në kundërshtim të plotë me procesin e hapjes dhe zgjerimit të procesit të integrimit evropian në tërësinë e tij.

(Vazhdon)

Narkoza e vizave – Mit apo Realitet (2)

Shkruan: Agron HOTI

Vallja e kritereve

“Heqja e kufijve, garantimi i sigurisë dhe ndërtimi i besimit morën shumë vite pas dy luftërave botërore shkatërruese. Krijimi i zonës së Schengenit  është njëra nga të arriturat më të mëdha të BE-së dhe si e tillë është e pakthyeshme. Tani, lëvizja e lirë e bën Evropën më të vogël dhe na bashkon. Hyni në tren apo futuni në veturë dhe vizitoni fqinjët tuaj. E tëra është e mundshme pa menduar shumë për kufij.” DimitrisAvramopoulos, Komisioner për Migracion, Çështje të Brendshme dhe Qytetari, Komisioni Evropian.

Kjo deklaratë shkon drejt frymës së synuar të BE-së. Nuk duhet harruar që kriteret e përgjithshme për procesin e integrimit evropian, përfshirë lëvizjen e lirë, janë shumëfishuar aq shumë, sa po të nxirrnim sot nga BE dhe hapësira Schengen, p.sh. Gjermaninë, Francën apo Italinë, do të ishte e pamundshme për këto shtete që të futen prapë, pikërisht për disa kritere të vështira, të cilat këtyre shteteve nuk u janë kërkuar që t’i plotësojnë, sepse ishin vetë këto shtete që filluan procesin e integrimit evropian dhe çdo iniciativë tjetër evro-integruese. Ç’është e vërteta ato as sot nuk i plotësojnë këto kritere.

P.sh. Kryeprokurori i Shtetit edhe sot është nën ingerencat e ekzekutivit në Francë, Itali, Gjermani, etj, pastaj lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar as që ishte temë kur pati filluar procesi i integrimit evropian. Atëbotë, të gjitha shtetet kishin vetëm një brengë e që ishte siguria e qytetarëve të tyre dhe zhvillimi ekonomik, sepse Evropa ishte pothuaj tërësisht e shkatërruar nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.

Në një gjendje të tillë ku Evropa ishte ende në gërmadha, ishte e pamundur të krijosh shtet efektiv të rendit dhe ligjit, së paku jo brenda 10 viteve siç po i kërkohet Kosovës, sepse një ndërmarrje e tillë brenda 10 viteve është më shumë sesa utopi. E kur kësaj i shtojmë edhe rentabilitetin e ultë të zhvillimit ekonomik, i cili edhe sot mbretëron jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin, atëherë çdo zhvillim nëpër segmente të caktuara të shtetit do ecën tepër ngadalë pa marrë parasysh  dëshirën e kombinatorikave të ndryshme politike.

As Kosova nuk mund të ishte përjashtim nga Shtetet Anëtare të BE-së, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore kishin vetëm një brengë të vetme: sigurimin e kafshatës së gojës, diçka që e patëm përjetuar tmerrësisht edhe në Kosovë. Prandaj, të kesh vetëm 10 vite shtet dhe të kesh dyfishin e kritereve për liberalizimin e vizave krahasuar me vendet e rajonit do të përbënte sfidë edhe për shtete që ekzistojnë që mbi 150 apo 300 vjet. Ndërkohë që e kaluara e Kosovës është aq e dhimbshme saqë qytetari evropian i shekullit XXI as që mund ta paramendojë një tragjedi të tillë njerëzore, çfarë u pati ndodhur qytetarëve të Kosovës nga pushtimi klasik i Serbisë.

Pra, shikuar të kaluarën e rëndë historike të Kosovës sigurisht që duket më tepër se tragji-komike e herë-herë absurde vazhdimi i pakuptueshëm i maratonës së mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si të vetmit qytetarë të kontinentit të vjetër që nuk mund të udhëtojnë të lirë. E absurdi bëhet edhe më i madh kur trendet e komunikimit dhe hapjes së botës janë duke u rritur me parametra të jashtëzakonshëm, ndërkohë që qytetarët e Kosovës kanë mbetur pothuaj tërësisht të izoluar.

Vlera jonë

Shqiptarët, prej pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse nën pushtim jugosllav, vazhdimisht janë solidarizuar me zhvillimet që për synim kishin bashkimin e Evropës. Represioni i vazhdueshëm jugosllav mbi popullsinë shqiptare kishte pikërisht për synim shuarjen e shpirtit evropeizues që dominonte mes shqiptarëve atëherë dhe sot. Të gjitha lëvizjet e shqiptarëve ishin edhe më pro-evropiane se sa vetë lëvizjet e ndryshme brenda Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore.

Pa rënies së komunizmit, shqiptarët – edhe pse të vetëdijshëm që nuk mund të çlirohen nga Serbia me rrugë paqësore – përqafuan lëvizjen çlirimtare paqësore karshi agresorit serb, diçka që Evropa nuk e kishte parë më parë, kjo sepse vlera e çlirimit paqësor s’ishte evropiane, ajo bazën e kishte në Indi, edhe pse lëvizja paqësore e Kosovës vetëm në formë por jo në përmbajtja i ngjasonte asaj indiane.

Ashtu siç vazhdimisht është thënë në pothuaj të gjitha qarqet e ndryshme vendore e ndërkombëtare, shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ka konfirmuar katërcipërisht faktin se ka kontribuar dukshëm në demokratizimin dhe evropeizimin e mëtejmë të Ballkanit në veçanti dhe të Evropës në përgjithësi. Si duket ky kontribut i pashoq i qytetarëve të Kosovës asnjëherë s’u mor mjaftueshëm parasysh nga qarqe të ndryshme të BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj. Vetë fakti që Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet në rajon është e arritur e madhe për Ballkanin dhe Evropën që me shekuj kishin gërryer vetveten.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës patjetër që do të jetë një vlerë e shtuar për Evropën, sepse kështu tre-konfesional dhe multi-etnik siç bashkëjetojmë në tolerancë e akceptancë – që nuk ja gjen shembullin jo vetëm në Evropë – kemi avantazh të theksuar karshi paragjykimeve dhe stereotipeve ndër-konfesionale, ndër-etnike dhe ndërkulturore ekzistuese gjithandej Evropës dhe globit.

Përparësitë e theksuara që Kosova u ofron komuniteteve jo-shumicë në të gjitha dimensionet e zhvillimit shoqëror dhe njerëzor, nuk është se mund të hasen shumë në rajonin tonë (që lëviz pa viza) dhe gjithandej nëpër Evropë. Dhe kjo përbën vlerë për shoqërinë e Kosovës para se gjithash, për rajonin, Evropën dhe njerëzimin në përgjithësi.

Imuniteti i BE-së

Tashmë dihet që BE është duke u përballur me katër probleme, secili më i vështirë se tjetri. Kriza financiare të cilës nuk po i shihet fundi, kriza e refugjatëve, dezintegrimi territorial i BE-së siç po ilustrohet nga Brexit dhe masat restriktive që janë duke penguar zhvillimin ekonomik të BE-së. Të gjitha këto probleme nuk është se mund të adresohen për një kohë të shkurtë, ndërkohë që sa më gjatë që zgjasin aq më e pasigurtë do të bëhet BE. Vetë fakti që bisedimet për Brexit janë duke vazhduar pa fund, tregon për goditjen që ka marrë projekti evropian.

Data 29 mars 2019 do të jetë koha kur Britania e Madhe zyrtarisht do të fillojë largimin nga BE dhe kjo pritet të zgjasë së paku deri në fund të vitit 2020. Britanisë i konvenon që pas daljes nga BE të ketë politika tregtare të pavarura që mundësojnë marrëveshje për tregti të lirë, ndërkohë që BE  e kushtëzon që së paku deri në vitin 2021 Britania të mbetet brenda Unionit Doganor të BE-së, duke mos i lejuar Britanisë gjatë kësaj periudhe që të bëjë marrëveshje tregtare të pavarura.

Britania e Madhe kërkon që të mos kontribuojë në buxhetin vjetor të BE-së me shuma të “mëdha” financiare, ndërkohë që BE si faturë të daljes i kërkon një shumë prej rreth 40 miliardë funta për pagesa të ardhshme. Pra, kjo tregon se sa energjinë janë duke shpenzuar BE dhe Britania e Madhe për t’u ‘shkurorëzuar’ mes vete. Britania e Madhe fillimisht kishte hezitime të anëtarësohej në BE, pastaj mundohej të hynte por se lejonte Franca, por edhe kur hyri përpos në tregun e përbashkët kurrë nuk hyri në Schengen dhe Eurozonë, kurse krejt në fund vendosi ta braktisë BE-në.

Pra, BE sado që është munduar të jep ndjenjën se brenda saj të gjithë janë të barabartë, kjo asnjëherë në praktikë nuk u realizua. Jo rastësisht shumë autorë e quajnë “Evropa e shpejtësive të ndryshme.” Qasja e BE-së edhe ndaj aspirantëve asnjëherë nuk ka mundur të jetë e njëtrajtshme, kjo është manifestuar në mënyra të ndryshme gjatë procesit të integrimit evropian dhe procesit të liberalizimit të vizave. Krizat e ndryshme, përfshirë krizën financiare të vitit 2008, të cilën evropianët ua adresojnë amerikanëve, vetëm sa e thelluan qasjen jo-koherente të BE-së ndaj aspirantëve.

Ndërkohë që, edhe Kosova ashtu sikurse e gjithë Evropa, nuk ka mundur të jetë imune ndaj zhvillimeve globale, sidomos pas krizës financiare globale të vitit 2008. E në këto zhvillime Evropa jo rrallëherë është ndier dhe ende ndihet e cenueshme nga akterë jo-evropianë, sidomos nga Rusia, Kina dhe jo vetëm.

Këta akterë jo-evropianë, në radhë të parë Rusia, kanë filluar të ndërhyjnë në zgjedhjet elektorale të vendeve të ndryshme të BE-së, pra kanë filluar të godasin zemrën e demokracisë evropiane. Nuk është e rastësishme rritja e ndikimit të forcave nacionaliste populliste brenda për brenda Shteteve Anëtare të BE-së duke u bërë pothuajse forca e tretë politike në shtete të caktuara.

(Vazhdon)

Narkoza e vizave – Mit apo Realitet (3)

Shkruan: Agron HOTI

Ndjenja Anti-Kosovë

Njëri ndër kryeadministratorët e parë të Misionit të OKB-së në Kosovë, më vonë edhe ministër i jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, në vizitën që i pati bërë Familjes Jashari pati deklaruar me empati se “po të kishte çmim Nobel për liri e sakrificë, pa dyshim që ai do t’i takonte Familjes Jashari”. Pra, narrativi i Kosovës pas luftës ishte tejet pozitiv, human dhe shumë të huaj që punonin në Kosovë e kishin të njëjtën frymë.

Por, kjo fatkeqësisht filloi të ndryshojë, sidomos pas trazirave të marsit 2004, kur Kosova para botës paraqitej si dëmtuese e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Serbia, së bashku me Rusinë dhe aleatë tjerë ia dolën që të krijojnë një sentimentAnti-Kosovë duke theksuar elementin fetar dhe terrorizmin si pika që shqiptarët e Kosovës i bën të rrezikshëm për sigurinë e Evropës. Madje, dhe përfaqësues të BE-së në Kosovë, patën filluar të artikulojnë ndryshe nga ajo që në fakt ishim dhe meritonim, kjo fatkeqësisht as sot nuk është më ndryshe.

Për më tepër, Rusia përmes mekanizmave të saj gjithandej Evropës së bashku me Serbinë dhe miqtë e saj kanë krijuar një sentimentAnti-Kosovë që nuk ka asnjë bazë, por që fatkeqësisht është realitet. Pra, Serbia edhe pse mbi 100 vite ka terrorizuar dhe gjenociduar shqiptarët e Kosovës, ka sot narracion më të mirë në Evropë sesa Kosova, e cila ka luftuar për ndjenjën më humane dhe fisnike që njeh njerëzimi e që është çlirimi nga pushtimi klasik, pra çlirimi nga Serbia. Këtë narracion negativ për Kosovën janë duke e ushqyer rregullisht Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre gjithandej globit.

Ky angazhim Anti-Kosovë nga ky akter jo-evropian (Rusia) bashkë me Serbinë e kanë për qëllim që brenda Kosovës të krijojnë kaos e pasiguri, në mënyrë që Kosova të paraqitet para perëndimit dhe botës si shtet i dështuar. Dhe në këtë pikë, nuk është se nuk i është bërë dëm Kosovës nëse i referohemi mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës nga 5 Shtete Anëtare të BE-së,  bllokadës ruse (dhe akterëve tjerë) në Këshillin e Sigurimit me qëllim të pamundësimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë.

Përpos kësaj, ky akter-jo-evropian, pra Rusia, me qëllimin parësor të tij futjen e përçarjes anembanë BE-së investon në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor siç ishte rasti i tentim puçit në Mal të Zi, dështimi i referendumit në Maqedoni për ndryshim të emrit, hapja e qendrës ‘hulumtuese’ ruse në Nish të Serbisë, involvimet e maskuara në veri të Kosovës dhe obstruksione tjera të dukshme dhe të fshehta.

E Serbia, edhe pse me dy fytyra, njërën kah BE e tjetrën kah Rusia, asnjëherë nuk u kritikua nga BE, madje ajo qyshoti gëzon liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh obstruksioneve të vazhdueshme që i bën në Kosovë, Bosnje, Maqedoni e Mal të Zi. Megjithatë, shteti i Kosovës ka vazhduar konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të tij pa marrë parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur dhe ende përballet.

Pra, Serbia eksporton në Kosovë mbi 500 milion EUR në vit dhe në anën tjetër nuk lë gurë pa lëvizur për të dëmtuar Kosovën në të gjitha drejtimet e mundshme. Ndërkohë BE as edhe një herë të vetme nuk merr masa sanksionuese ndaj Serbisë, si shteti që së bashku me Rusinë përdor çdo mjet të mundshëm për të sjellë projektin evropian buzë greminës. Obstruksionet e Serbisë ndaj konsolidimit të shtetësisë së Kosovës janë duke u mbështetur nga Rusia. Kjo e fundit ka frikë se mos Serbia do arrijë marrëveshje me Kosovën dhe pastaj të avancojë në rend-ditën evropiane. Pra, Rusia nuk është e interesuar për zgjidhje të problemit të Kosovës por për tejzgjatjen e tij në interes të shtetit rus.

 Ndërkohë Kina, përpos investimeve multi-miliardëshe, ka filluar që të paguajë politikanë të ndryshëm të vendeve të BE-së, sidomos ata të Evropës Lindore dhe Jugore që haptazi lobojnë për interesat kineze në BE. Për më tepër Kina ka ndërmarrë mega-iniciativa globale, të cilat si synim parësor kanë qasjen, ndër të tjera, në tregje të Evropës, aspekt ky tejet sfidues për ekonomitë në krizë të BE-së.

Pra, shumë politikanë të BE-së, siç ishte edhe Stefan Fyle, ish Komisioneri i BE-së për Zgjerim, sot janë duke punuar haptazi në favor të interesave kineze dhe këtë është duke e bërë përmes gjigantit kinez CEFC për energji që sipas gazetës Economist është e lidhur me inteligjencën ushtarake kineze.

Pra, ka edhe shumë zyrtarë tjerë çek e besa edhe hungarez që janë vënë plotësisht në funksion të interesave kineze duke dëmtuar kështu rëndë projektin evropian ku Kosova synon të anëtarësohet. Nuk është e rastësishme që Kina preferon marrëveshje bilaterale me Shtete Anëtare të BE-së, përpara atyre multilaterale. Kjo sepse Kina në raporte bilaterale demonstron fuqi dinozaureske përballë çdo Shteti Anëtar të BE-së. Nuk janë të rastësishme flirtimet e vendeve të Evropës Lindore me mega-projektet e mëdha kineze të cilat vetëm një qëllim kanë: depërtimin e plotë nëse jo edhe dominimin në tregun e brendshëm të BE-së.

Rritja e ndikimit të Kinës është duke u bërë e dukshme edhe në fushën zhvillimit dhe inovacionit, ku Kina në vitin 2016 kishte bërë një plan për rritjen e investimeve në hulumtime dhe zhvillim. Jo rastësisht sot Kina jep 233 miliardë dollarë në vit për hulumtime dhe zhvillim që përbën 20% të totalit global për këto investime.

Duke u përqendruar në tri fusha kryesore (gjysmëpërçues, kompjuterë quantum dhe inteligjencë artificiale) pritet që Kina deri në vitin 2030 të dominojë botën në inteligjencë artificiale. Nuk është e rastësishme që sipas WorldEconomic Forum 20 firmat më të mëdha globale të IT-së dhe Internetit janë nga Kina dhe SHBA, pra nuk ka as edhe një firmë të vetme evropiane në këtë mes. Prandaj, Kina është duke investuar gjithandej globit, përfshirë Evropën për të shtyrë përpara agjendën e saj ekonomike globale.

 Në anën tjetër, rajoni i Ballkanit Perëndimor është duke u ndikuar çdo ditë e më shumë nga synimet e Turqisë për t’u konsoliduar si fuqi rajonale në Ballkan. Mjafton të shohim investimet turke në Ballkan dhe të bindemi për këtë. Ndërkohë që, BE me Turqinë ka ndërtuar Union Doganor, i cili për hirë të vërtetës është duke funksionuar pa vështirësi.

Pra, neve në Kosovë na thuhet, ose lihet të nënkuptohet që investimet e huaja (perëndimore) s’po mund të depërtojnë në Kosovë si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që përkundër autoritarizmit në rritje të establishmentit turk, shkëmbimet tregtare mes BE-së dhe Turqisë nuk është se janë në gjendjen më të keqe të mundshme, përderisa raportet politike të BE-së me Turqinë është e qartë se nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme.

Vlen të theksohet se në shumë qarqe të BE-së janë duke u ngritur zëra se akterët jo-evropianë janë duke u treguar shumë më të shpejtë në shtrirjen e investimeve të tyre në Ballkan sesa BE. E tash nëse një gjë e tillë është duke ndodhur, e që në fakt është duke ndodhur, pse qytetarët e Kosovës dhe rajonit duhet të vuajnë nga ngathtësia e BE-së?! Perspektiva e rajonit mbahet gjallë me investime të mëdha në të gjitha drejtimet e mundshme, me rritje të bashkëpunimit dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian, përndryshe ndikimet e akterëve jo-evropianë do të rriten edhe më shumë.

Pra, nëse BE nuk investon mjaftueshëm në Kosovë e Ballkan, atëherë kjo zbrazëtirë sigurisht që do të mbulohet nga akterë jo-evropianë. E pastaj kush duhet të fajësohet? Dikush do të thoshte që BE dhe Shtetet Anëtare të saj s’po mund të investojnë si rezultat i korrupsionit, ndërkohë që akterët jo-evropianë nuk po pyesin fare për korrupsion duke qenë vetë të zhytur thellë në të. Dilema tash është se si të dilet nga kjo situatë ku ekonomia e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi nuk mund të bëjnë më shumë se ç’janë duke bërë pa masa incentive të BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj dhe duke ditur që parandalimi dhe luftimi i korrupsionit merr shumë kohë.

 (Vazhdon)

Narkoza e vizave – Mit apo Realitet (4)

Shkruan: Agron HOTI

Takati jonë

Përkundër vështirësive të brendshme dhe të jashtme, Kosova brenda 10 viteve si shtet ka arritur të krijojë institucione solide, të krahasueshme me rajonin, sa çdo ditë e më shumë është duke hyrë në marrëdhënie biletarale e multilaterale me shtete e organizata të ndryshme si dhe duke u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë të profileve të ndryshme me karakter rajonal dhe global.

Vlen të theksohet që Kosova prej vitit 2009 e deri në këtë vit ka hyrë në mbi 330 marrëveshje ndërkombëtare të të gjitha llojeve. Dhe kjo, përpos që e obligon Kosovën t’u përmbahet këtyre marrëveshjeve, tregon edhe besimin që shtete e mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë kanë në institucionet e Kosovës. Vetëm për vitin 2019 e 2020 Kosova do të merr mbi 200 milion EUR nga BE, diçka që tregon besim dhe përkushtim të përbashkët drejt rend-ditës evropiane. Përpjekjet për anëtarësim në Interpol, UNESCO, shkojnë në këtë drejtim dhe pse kjo nuk varet tërësisht nga Kosova, kur dihet se çfarë obstruksionesh bën Serbia e Rusia për të penguar hapur Kosovën në këtë drejtim.

Vetë fakti që Kosova ka arritur të nënshkruajë me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe që çdo vit nënshkruan Marrëveshje Financiare me BE-në, me Institucione Financiare Ndërkombëtare dhe me partnerë strategjikë bilateralë dhe multilateralë, tregon shumë për besimin që këto shtete dhe mekanizma zyrtarisht shprehin ndaj institucioneve të Kosovës.

Përmirësimi dhe investimet e mëdha në infrastrukturë tejkalojnë çdo pritje të një shteti dhjetëvjeçar, aspekt ky që shteteve u ka marrë mbi 100 vite. Pra, ka aq shumë arritje në infrastrukturë për këto 10 vite shtet, sa askush nuk do ta besonte. Sektori financiar në Kosovë është më stabili në rajon dhe për këtë s’do koment.

Sigurisht që ka shumë punë për t’u bërë në vitet që vijnë, por sfidat e vështirësitë shtetërore janë përditshmëri edhe për shtetet më të fuqishme të botës. Pra, s’do mend që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka kaluar në një dramë maratonike, për të cilën flet i madh e i vogël. Ndërkohë që subjekte politike në Kosovë, për efekte të pastra elektorale vjellin vrerë duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosliberalizim të vizave edhe pse janë plotësisht të vetëdijshme se si ecet në këtë proces dhe kush e ka timonin.

E qytetari i Kosovës së sotme është shumë më kërkues se ç’ishte dje. Falë qarkullimit të shpejtë të informacionit si rezultat i teknologjisë informative. Duke pasur qasje në zhvillimet globale, duke e parë botën së paku përmes realitetit virtual, pritjet e qytetarëve të Kosovës tejkalojnë çdo mundësi të qeverive të sotme dhe të nesërme. Sigurisht që ngathtësia e shtetit të Kosovës në situata të caktuara nuk është për t’u nënvlerësuar. Derisa dje ishim të izoluar, sot shohim botën dhe pritjet do të jenë gjithnjë e më të mëdha.

Prandaj, pritjet e qytetarëve janë sfidë për çdo qeveri në botë sado i fortë të jetë ai shtet. Rasti më tipik janë zgjedhjet në Bavari të Gjermanisë. Bavaria është padyshim vendi më i zhvilluar në Evropë, me papunësi pothuaj zero, me standardin më të lartë jetësor në Evropë e ndoshta edhe në botë, ndërkohë që përkundër qeverisjes së vazhdueshme të CSU-së, kjo parti bashkë me CDU dhe SPD pësuan fiasko para partive populliste. Nuk duhet lënë anash rezultatin mbresëlënësqë kanë arritur edhe të Gjelbrit. Ky grupim politik nuk definohet në taborin e partive populliste, por si mbrojtës i vlerave liberale, prandaj kjo revoltë ndaj establishmentit tradicional në rrethana të caktuara ka prodhuar edhe afirmim të vlerave liberale.

Pra, nëse lidershipibavarez me një ekonomi të tej-zhvilluar nuk ka arritur t’i bindë qytetarët që të votojnë prapë për ta, ose shumica e tyre, atëherë mund ta paramendojmë se çfarë do të ngjet në vende me ekonomi të pazhvilluara siç është Kosova dhe Ballkani, qeveritë e të cilave ende pa filluar mandatin do të përballen me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, diçka të cilën veç jemi duke e përjetuar në Kosovë dhe rajon pothuajse rregullisht.

Rasti tjetër është rënia e rejtingut të kancelares gjermane, AngelaMerkel, si rezultat i krizës së refugjatëve sirianë, rejtingu i të cilës u dëmtua shumë edhe pse ekonomia e saj është më e forta në Evropës dhe ndër më të zhvilluarat në botë.

Kjo tregon se sa e vështirë është duke u bërë vendim-marrja nëpër shtete të ndryshme edhe kur ato duhet të vendosin në të mirë të ekonomisë së tyre, në këtë rast nevoja për fuqi punëtore në Gjermani është evidente dhe natyrisht që kjo zbrazëti nuk do i mbushet me punëtorë nga vendet e BE-së, por sigurisht ga vende jo evropiane, e sfida fillon pikërisht këtu.

Edhe shembulli i Japonisë tregon për vështirësitë e drejtimit të vendit. Ky vend është duke u përballur me rënie të lirë demografike, plakje të popullsisë, ri-dimensionim social, mbi 50% e fëmijëve të lindur në Japoni pritet të jetojnë mbi 100 vjet, jogatishmëria e popullsisë japoneze për të pranuar fuqi punëtore të huaj, etj. Për këtë arsye, qeveria japoneze për t’i përballuar këto vështirësihtë duke shikuar mundësitë e rritjes së robotikës nëpër vende të punës, pranimin e fuqisë së punëtore nga jashtë dhe shtyrjen e kohës së pensionimit në mbi 70 vjeç. Të gjithë këta hapa janë duke u bërë me qëllim të mbajtjes gjallë të ekonomisë japoneze, edhe pse asnjë prej tyre nuk do të jetë e lehtë të zbatohet në praktikë.

Kritikët

Kosova prej pasluftës e deri më sot asnjëherë nuk ka pasur opozitë të mirëfilltë. Vazhdimisht për hirë të stabilitetit të vendit është dashur që forcat politike pa marrë parasysh orientimet partiake të votonin pako ligjesh, planesh e marrëveshjes ndërkombëtare pa bërë ndonjë analizë të mirëfilltë. Sigurisht që kjo e ka penguar zhvillimin e demokracisë, pasi demokracia si e tillë duhet të lind, sepse nëse imponohet, nuk e ka efektin natyral që ishte dashur ta ketë. Çështja e statusit të Kosovës ka humbur vazhdimisht relevancën e partive opozitare dhe kjo ka penguar vazhdimisht zhvillimin e demokracisë në vend.

Qeverisje të përbashkëta, Grupe Uniteti, kalimi i pakove ligjore, planeve e marrëveshjeve për hirë të statusit dhe stabilitetit, dialogimi i pafund me Serbinë, vazhdimisht e kanë zbehur rolin e opozitës si njëra nga degat kryesore të zhvillimit të demokracisë. Dhe duke qenë vazhdimisht kështu, atëherë forcat politike, si opozitare ashtu dhe të pozitës janë bashkë-bartëse të të gjitha proceseve që kanë ndodhur deri me tani, kush më pak e kush më shumë dhe se çdo kritikë ndaj dikujt pikë së pari duhet nisur nga vetvetja.

Një pjesë e opozitës kritikon procesin, pjesë e të cilit ka qenë në të gjitha fazat e tij, ndërsa një pjesë tjetër e opozitës, e dalë nga fryma e një popullizmi shterp në rritje, jo vetëm në Kosovë por gjithandej Evropës dhe e zhytur thellë në ideologji majtiste, mundohet të përfitojë nga ky momentum duke dalë në kinse ‘mbrojtje’ të Republikës. Ndërkohë që në anën tjetër është vetë ky subjekt majtist që nuk ka votuar në favor të MSA-së në Parlamentin e Kosovës. E Kosova vetëm një herë e ka votuar MSA-në, pra nuk do ta votojë prapë, siç mund ta ketë menduar dikush, kurse tash e tutje në rend-dite do të jenë hapa të tjerë të integrimit evropian.

Pra, për çfarë integrimi evropian na flet ky subjekt majtist, kur haptazi patën dalë kundër këtij procesi, pas të cilit sot thirren se e duan. Ky subjekt majtist vazhdimisht ka qenë kundër çdo iniciative perëndimore në Kosovë, ka sfiduar dhe sfidon çdo propozim progresist dhe mbështetje perëndimore, si p.sh. ka kundërshtuar dhe kundërshton edhe sot Pavarësinë e Kosovës, etj.

Një subjekt politik që nuk e njeh shtetin dhe simbolet e tij, me çfarë të drejte flet për regres në procesin e integrimit evropian, përfshirë procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa vazhdimisht punon kundër saj me kursin e saj rrënues Për çfarë opozite mund të flasim, kur nuk është në gjendje të përcjellë dinamikat zhvillimore në vend, një opozitë që propozon diçka dhe vetë nuk e voton, një opozitë që në mungesë totale të alternativave tërë kohën flet vetëm për zgjedhje pa asnjë zgjidhje, një opozitë që nuk ka guxim të përballet me asnjë problem.

Pra, tërë ditën fajëson për mosliberalizim të vizave e duke mos qenë në gjendje të reflektojë ndaj asnjë zhvillimi të mundshëm. Sigurisht që opozita është pjesë integrale e zhvillimit demokratik, por të marrurit e saj me individë e jo me procese siç duket i ka ç’orientuar dhe shkapërderdhur në tërësi.

(Vazhdon)