Nait Hasani në gjykatë për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit u paraqit në cilësinë e të akuzuarit ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK, Nait Hasani. 

Lajme

01/12/2014 16:45

Hasani po akuzohet për veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës me gjobë dhe burg deri në 5 vjet.

Sipas aktakuzës së ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencia Kundër Korrupsion, thuhet se Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012.

“Ekziston mospërputhje në mes të të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës, ngase është gjetur mospërputhje në mes të të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, që janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Diferenca ndërmjet këtyre të hyrave është 5 mijë e 285,04 euro, të cilat Hasani, sipas AKK-së, nuk i ka deklaruar saktë në të hyrat vjetore.

Hasani të hënën në gjykatë deklaroi se nuk ndihet fajtor dhe nuk e pranon veprën për të cilën akuzohet.

Ai e kundërshtoi në tërësi aktakuzën e ngritur nga prokuroria, për faktin se, sipas tij, ka deklaruar pasurinë ashtu siç kërkohet nga AKK-ja.

Madje Hasani e njoftoi gjykatësin se rast të ngjashëm kishte pasur edhe për deklarimin e pasurisë të vitit 2011, mirëpo atëherë ishte njoftuar me shkrim nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe kishte bërë plotësimet e kërkuara.

“Ndërsa për deklarimin e pasurisë të vitit 2013 nuk më është kërkuar asnjë plotësim, ku unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me AKK-në, mirëpo ata nuk më kanë kërkuar plotësime. Unë e shoh se kësi lloj lëshime në deklarim kanë edhe rreth 80 për qind e deputetëve, mirëpo unë gjithnjë sa i përket vetes i kam kërkuar AKK-së të më tregojë për lëshimet dhe kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj, gjë e cila asnjëherë nuk është kërkuar nga unë”, tha Hasani.

Ai u shpreh se është e çuditshme se si të konsiderohet mosdeklarim i pasurisë, kur për pagën e marrë nga buxheti i Kosovës kishte paguar tatim dhe të njëjtat i kishte pranuar përmes llogarisë bankare.

Madje Hasani tha se kishte deklaruar edhe kursimet e fëmijëve për të cilat nuk ka qenë i obliguar që t’i deklarojë, ngase kanë qenë në shumën nën 5 mijë euro. Gjithashtu ai tha se kishte deklaruar edhe makinën në vlerë prej 10 mijë euro.

Në fund, Hasani kërkoi nga gjykata që ta hedhë aktin akuzues dhe të pushohet procedura ndaj tij.

Mirëpo, mendim tjetër pati prokurori i shtetit. Ai i propozoi gjykatës që çështja të vijojë në stade të tjera të procedurës, që të shkohet në shqyrtimin kryesor, ku tha se aty do të zbardhen dhe të ndriçohen pretendimet e AKK-së me kallëzimin penal të parashtruar ndaj të pandehurit Nait Hasani.

Për propozimet e të pandehurit nga njëra anë dhe të prokurorisë nga ana tjetër, mbetet që të vendos gjykata Themelore e Prizrenit.

Gjykatësi individual i çështjes paralajmëroi se në rast se do të vendoset të shkohet në shqyrtimin kryesor dhe nëse gjykata e Apelit do ta aprovojë një vendim të tillë, seanca e shqyrtimit kryesor do të mbahet më 22 dhjetor./Kallxo.com/