Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po vazhdon angazhimet e tij dhe se në ditët në vijim pritet të arrihet pajtueshmëri dhe mbështetje për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Sipas saj, pas takimeve të fundit me kryetarin e LDK-së, pritet që të ketë propozime konkrete dhe një marrëveshje të mundshme mes palëve, raporton lajmi.net
“Kryeministri Kurti gjithashtu është duke vazhduar angazhimet e tij, edhe unë besoj që në ditët e mbetura, sepse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, të arrihet një pajtueshmëri edhe një mbështetje, gjithashtu propozime konkrete, edhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit. pas takimeve që ka pasë së fundmi me kryetarin e LDK-së, Kryeministri Kurti ka bërë prononcimin e tij për media. Besoj që për të gjitha detajet, sapo të ketë diçka të re, do t’i ndajë të dhënat edhe me ju edhe me qytetarët”, tha ajo.
Nagavci, gjithashtu tha se seanca është planifikuar të fillojë në orën 10:00.
Ajo theksoi se, përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë do të shqyrtohet edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe çështja e dërgimit të FSK-së në Gaza.
“Është dakorduar që seanca e radhës të mbahet të premten në ora 10:00. Përveç pikave të rregullta, do të bëhet edhe zgjedhja e dy anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese, si dhe dërgimi i FSK-së në Gaza”, është shprehur Nagavci./Lajmi.net/