Nagavci kërkon ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare, këto janë pikat që i shtoi
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet sot, më 19 nëntor 2026. Në kërkesën e saj, të cilën ka bërë të ditur se e ka dorëzuar edhe zyrtarisht në administratën e Kuvendit, Nagavci…
Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet sot, më 19 nëntor 2026.
Në kërkesën e saj, të cilën ka bërë të ditur se e ka dorëzuar edhe zyrtarisht në administratën e Kuvendit, Nagavci ka propozuar përfshirjen e disa çështjeve me rëndësi në rendin e ditës.
Ndër propozimet kryesore janë shqyrtimi i projektligjeve për ratifikimin e konventave ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja Civile apo Tregtare dhe Konventën për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës.
Po ashtu, ajo ka kërkuar që në rend të ditës të përfshihen shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, Projektligjit për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si dhe Projektligjit për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.
Në mesin e çështjeve të tjera të propozuara janë edhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për masat emergjente, procedimi i nismave legjislative për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së nga komunitetet.
Nagavci ka propozuar gjithashtu shqyrtimin e rekomandimit për shkarkimin e katër anëtarëve të pavarur mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe zëvendësimin e anëtarit të LDK-së në një komision parlamentar, me Arlinda Zekajn.
Në kërkesën e saj, Nagavci ka kërkuar që pikat 11 deri në 16 të rendit të ditës të vazhdojnë sipas planifikimit paraprak.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që ta miratojnë kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e rendit të ditës, duke theksuar se procedura është respektuar dhe kërkesa është dorëzuar edhe me shkrim në administratën e Kuvendit. /Lajmi.net/