Mustafa: Vetëm ne mund ta rrëzojmë PDK-në

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa shprehët i bindur se do të arrijë ta rrëzojë nga pushteti PDK-në. Ai gjithashtu, premtoi se me qeverisjen e LDK-së, Kosova do të ketë liberalizimin e vizave që nga fillimi i vitit të ardhshëm. 

Lajme

13/05/2014 20:14

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën në Istog se vetëm LDK-ja e ka fuqinë politike dhe përkrahjen e qytetarëve, që në zgjedhjet e  8 qershorit ta rrëzojë Partinë Demokratike të Kosovës nga pushteti.

“Ne e kemi fuqinë, ne e kemi dijen, ne e kemi përkrahjen e qytetarëve, ne e kemi mobilizimin tonë që në këto zgjedhje që ta rrëzojmë nga pushteti PDK-në dhe aleatët e saj, dhe të instalojmë një qeverisje demokratike, një qeverisje, në të cilin shqiptarët do ta kenë shumicën dhe do të punojë për interesa të të gjithë qytetarëve”.

“Kishte iniciativa nga subjektet politike që t’ia shkurtojnë mandatin kësaj qeverie, por vetëm LDK-ja arriti që ta detyrojë atë që të votojë vetë për shpërndarjen e Kuvendit dhe t\’i organizojë zgjedhjet më 8 qershor. Ne ia kemi arritur këtë sepse jemi parti e fortë e shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, e konsoliduar shkëlqyeshëm dhe e cila është e gatshme që ta qeverisë Kosovën”.

“Qeverisja e LDK-së, në radhë të parë do të krijojë kushte për jetë, për zhvillim ekonomik, do të krijohen vende pune, do të mundësohet arsim i mirë për të rinjtë tanë, do të krijojë institucione të dinjitetshme shëndetësore, rend dhe ligj dhe do të plotësojë kushtet për integrim në BE”.

“Nga Istogu dua të konfirmojë se që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të kemi liberalizimin e vizave dhe gjithë këta të rinj dhe të reja të Istogut dhe gjithë Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza, sepse nuk ka asnjë kuptim që qytetarët tanë të ballafaqohen me kufizime të lirisë së lëvizjes”, ka thënë Mustafa.