Mustafa: Vendi duhet shkuar në zgjedhje- edhe në të kaluarën s’jemi pajtuar , por jemi takuar në zyrë, restorante e shtëpi për të komunikuar
Situata e krijuar në vend në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve tani ka hyrë në një rrugë pa krye, pasi që zgjidhja e saj nuk po shihet të jetë afër. Në këtë situatë zgjidhje është munduar të sjell edhe Gjykata Kushtetuese përmes aktvendimit të cilin e ka publikuar të enjten më…

Lajme
Situata e krijuar në vend në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve tani ka hyrë në një rrugë pa krye, pasi që zgjidhja e saj nuk po shihet të jetë afër.
Në këtë situatë zgjidhje është munduar të sjell edhe Gjykata Kushtetuese përmes aktvendimit të cilin e ka publikuar të enjten më 26 qershor të këtij viti, e ku ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh.
Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.
“Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Vendimi i Gjykatës:
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimet tjera që kanë natyrë të njëjtë me te të marra në seancat paraprake dhe të mëpastajme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar “transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025”, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata ka vendosur njëzëri: I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme; II. Të konstatojë që: 1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe 2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Por, a ishte mjaftueshëm i qartë ky aktgjykim?
Ish kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë për lajmi.net se ky aktgjykim që ka nxjerr Gjykata Kushtetuese është i qartë por që sipas tij ka hapësirë për interpretim subjektiv keqdashës e që sipas tij po e bënë llojlloj “doletanti”.
“Dihet qartë se partia që doli e para nuk është e interesuar ta konstituojë Kuvendin. Por edhe sikur të konstituohet as pozita e deridjeshme dhe as opozita nuk kanë vota për të qeverisur”, ka thënë ai për lajmi.net.
Ai ka thënë se partitë duhet të gjejnë një zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të reja, por që sipas tij kjo nuk duhet të jetë në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale. Mustafa ka përkrahur gjithashtu edhe idenë e LDK-së për një qeveri kalimtare me afat të caktuar.
“As ne në të kaluarën nuk jemi pajtuar me njëri-tjetrin. Por kemi fol, kemi komunikuar, jemi ulë në zyra, në restorante, në shtëpi dhe kemi biseduar pa ngarkesa. Nuk kemi biseduar për tu dorëzuar, ashtu siç po predikojnë disa sot, por për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa.
Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar 5 muaj pas ditës së zgjedhjeve në vend e pothuajse 3 muaj pas seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht, opozita nuk votuan pro kandidates për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiun e pastaj kur LVV tentoi ta ndërroj formën e votimit nga votim i hapur në të fshehtë, opozita nuk po merr pjesë fare në votim.
Sipas opozitës, ndërrimi i formës së votimit në mes të procesit të konstituimit është antikushtetues dhe ata nuk duan të marrin pjesë në shkelje të Kushtetutës. Këtë, AAK e kanë dërguar për interpretim në Gjykatë Kushtetuese por se aktgjykimi i tyre nuk ka dal të jetë shumë i qartë pasi që po interpretohet në mënyra të ndryshme nga deputetë të partive të ndryshme.
Gjykata Kushtetuese nuk ka treguar se çka mund të ndodh nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as pas 30 ditëve, prandaj është e paqartë se çka mund të ndodh më pas.
Seanca e radhës konstituive e Kuvendit do të mbahet nesër por që nuk pritet të sjell rezultat. /Lajmi.net/