Mustafa shpalos platformën qeverisëse, në Berlin!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me një delegacion të LDK-së, me ftesë nga partia simotër në Gjermani, Unioni Kristian Demokratik (CDU), po qëndron në vizitë disaditore në Berlin të Gjermanisë.
Lajme
Këtë e ka bërë të ditur Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes një njoftimi për media.
Sipas kësaj komunikate, Mustafa është i shoqëruar edhe nga tre anëtarë tjerë të LDK-së, Teuta Sahatqija, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu.
“Kryetari Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, gjatë ditës së sotme ka takuar zyrtarë të lartë partiak, z. Bertil Wenger, Sekretar i Internacional i CDU-së; z. Frank Priess nënkryetar i Fondacionit Konrad Adenauer; dhe z. Andreas Schockenhoff, nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU”.
“Vizita është shenjë e bashkëpunimit të ngushtë që po ndërton LDK-ja me CDU-në Gjermane, ku Kryetari Mustafa bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, procesin e themelimit të institucioneve dhe prezantoi platformën qeverisëse”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, gjatë ditës së nesërme do të zhvillojnë takime tjera me zyrtarë të Kancelarisë Gjermane, ndërsa pas vizitës në Berlin, kreu i LDK-së do të udhëtoj për në Bruksel, ku do të merr pjesë në takimin e anëtarëve të Partive Popullore Evropiane.
Në këtë komunikatë nuk është bërë e ditur nëse prezantimi i platformës qeverisës nga Mustafa ka qenë i LDK-së, apo i koalicionit LAN (LDK-AAK-Nisma), koalicion ky që të nominuar si kryeministër ka liderin e AAK-së.