Mustafa prezantoi programin qeverisës para komunitetit të donatorëve (Video)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, të premten mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë, ku u prezantuan pikat kryesore të Programit Qeverisës 2015-2018, para komunitetit të donatorëve dhe agjencive të tjera.

Lajme

06/03/2015 15:16

“Një javë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin Qeveritar për katër vitet e ardhshme, kemi përcaktuar orientimet tona themelore, të cilat kryesisht janë të fokusuara në zhvillimin ekonomik, në rritjen ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rënien e varfërisë, si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës, si komponent shumë i rëndësishëm i tërheqjes së investimeve të huaja dhe stabilitetit ekonomik”, tha kryeministri në këtë forum, ku ishte pjesëmarrës edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ambasadorë dhe përfaqësues të fondacioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare..

“Ne gjatë periudhës së kaluar kemi pas rastin të takohemi individualisht me ju dhe të këmbejmë mendimet lidhur me zhvillimin ekonomik, si partnerë tonë shumë të rëndësishëm. Dëshiroj që edhe kësaj radhe t’ju falënderoj ju dhe qeveritë tuaja për përkrahjen që na e keni dhënë deri më tani dhe po ashtu t’ju inkurajoj për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në mënyrë që t’ju kemi mbështetje në programin tonë qeverisës dhe po ashtu në projektet dhe programet e veçanta zhvillimore, të cilat do t’i bëjmë së bashku me sektorin privat kryesisht”, tha Mustafa.

Kryeministri në këtë forum i ka informuar pjesëmarrësit shkurtimisht lidhur me përmbajtjen e Programit Qeverisës për periudhën e ardhshme kohore dhe, dhe për fushat në të cilat mund të llogaritet në mbështetjen, sepse siç ka thënë Mustafa, kjo është me rëndësi themelore që Kosova ta kapërcejë këtë situatë ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet sot.

“Përpos programit ekonomik, ne do të iniciojmë hartimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit për periudhën 2015-2020, e cila po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe përmes së cilës strategji, ne do të definojmë edhe më tutje prioritetet tona ose prioritetet e prioriteteve, duke u fokusuar kryesisht në projekte dhe programe ekonomike, të cilat krijojnë vende të punës dhe të cilat krijojnë perspektivë zhvillimore në njërën anë dhe, po ashtu edhe pjesëmarrjen tonë në tregun regjional, evropian dhe atë botëror”.

“Programin tonë ne e kemi llogaritur në partneritet me Bashkimin Evropian, kemi llogaritur po ashtu në fondet e veçanta të IPA-s, të cilat mund t’i shfrytëzojmë në periudhën e ardhshme kohore dhe, po ashtu kemi vlerësuar gjithë ndihmën dhe financimin që është dhënë nga programi IPA deri në periudhën e tanishme, si dhe nga fondet tjera të Bashkimit Evropian”.

“Kemi vlerësuar po ashtu pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të qeverive dhe të bizneseve të vendeve të tjera në projektet e ndryshme të cilat sot po funksionojnë në Kosovë dhe të cilat  kanë krijuar kushte që ekonomia jonë të ketë mundësi që të zhvillohet”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Qeveria e Kosovës është e interesuar që ta rrisë ekonominë përmes rritjes së normës vjetore të rritjes ekonomike, përkatësisht të GDP-së, e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës, që sipas evidencave të deritanishme sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit dhe, po ashtu më vonë t’i qaset edhe kontingjentit të të papunëve të cilët janë në zyrat e punës.

“Dëshirojmë të bëjmë reforma të caktuara në sferën e ekonomisë, të cilat kryesisht do të orientohen në politikat e reformave fiskale, në ndryshimin e strukturës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, dhe lirimin e firmave të reja të cilat themelohen në vitet e para nga pagesat e tatimit në fitim dhe pagesat e tatimit në të ardhurat e korporatave, në shkallëzimin e TVSH-së, si dhe në ndryshimin e normave të TVSH-së për produktet e ndryshme”.

“Jemi të interesuar poashtu dhe do të punojmë që të lirojmë nga TVSH-ja edhe importimin e makinerisë dhe pajisjeve të tjera të cilat hyjnë në vend dhe të cilat janë të destinuara për investime, përkatësisht për projekte zhvillimore”, tha Mustafa.

“Do të punojmë poashtu në parandalimin dhe zvogëlimin e ekonomisë informale, në mënyrë që ta formalizojmë ekonominë, edhe në pikëpamje të përfshirjes së saj në pagimin e tatimeve dhe taksave, dhe poashtu edhe në pikëpamje të kryerjes së obligimeve të kësaj ekonomie ndaj të punësuarve, në mënyrë që mos të kemi papunësi, përkatësisht punësim informal, por ta formalizojmë tregun e punës dhe tregjet e tjera”.

“Kemi vlerësuar deri më tani se duhet të bëjmë eliminimin e të gjitha barrierave ligjore, të cilat e vështirësojnë të bërit biznes dhe burokracinë, por poashtu krahas kësaj të bëjmë edhe sigurimin e kushteve elementare sa i përket furnizimit me energji elektrike”, u zotua kryeministri.

Qeveria po ashtu do t’i jep prioritet tani energjisë elektrike, sepse vlerëson se ajo është e pamjaftueshme për nevojat e ekonomisë dhe nevoja familjare. “Tani jemi në projektin Kosova C, të cilin ne do ta mbështesim fuqimisht dhe poashtu do të mbështesim fuqimisht pas këtij projekti edhe projektet e tjera të cilat na krijojnë stabilitet me furnizimin me energji elektrike”.

Mustafa tha se do të punohet në rivitalizimin e sektorit të minierave, dhe në përcaktimin ekonomik të statusit të Trepçës. Ai theksoi Trepça edhe pasuritë tjera minerare, duhet të shfrytëzohen me kushtet sa më të mira ekonomike, në mënyrë që të krijohen në njërën anë vende pune, dhe në anën tjetër të krijohen qasjen në tregje dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm.

“Ne jemi të interesuar që të forcojmë agjendën tonë evropiane, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, sepse konsiderojmë se edhe zhvillimi i arsimit dhe i shëndetësisë janë fusha shumë të rëndësishme ekonomike, nga arsyeja se me sigurimin e një arsimi të fuqishëm të njerëzve të dijshëm, ne do të ulim shpenzimet suplementare ose investimet suplementare të investitorëve të jashtëm dhe të brendshëm në fushën e arsimit”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.

YouTube player