Mustafa: Nga ndotja e ambientit në Kosovë, po rrezikohen uji, toka e ajri

Eksperti i mjedisit, Behxhet Mustafa, ka theksuar se çështja e trajtimit të ndotjes së mjedisit, është njëra nga temat kryesore sot në botë.

Lajme

22/01/2018 22:51

Mustafa, në  emisionin “Përballje”, ka theksuar se nga kjo ndotje po dëmtohen katër komponentë kryesorë të jetës, siç janë ajri, uji, toka dhe biodiversiteti.

“Monitorues më të mirë të gjendjes shëndetësore se vet njeriu nuk ka. Secili nga ne e ndjen se çfarë gjendje të ajrit kemi. Duhet ta keni një gjë parasysh dhe ajo është se derisa ne t’i kemi termocentralet dhe këtë gjendje me numrin e veturave, që përdoren nëpër rrugët e Kosovës, do ta kemi këtë gjendje të ajrit”, ka theksuar Mustafa.

Sipas tij, lagështia e ajrit gjatë dimrit është më e lartë, “kështu kemi edhe më shumë mjegull, të cilat janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë në krijimin e smogut, krahas lirimit të gazrave dhe pluhurit”.

“Ne duhet të orientohemi në ripyllëzimin e hapësirave të degraduara për shumë vite me radhë, dhe duhet të punojmë në krijimin e termocentraleve dhe atë solare. Kur të vijnë ndërkombëtarët, na thonë dy gjëra që i kemi të vlefshme, e ato janë: uji dhe diell.  Dhe asnjërit nuk ia dimë vlerën. Duhet të orientohemi në energjinë solare, para së gjithash duhet të kemi kujdes te KEK-u”, ka shtuar Mustafa, në “Përballje” të Telegrafi.com.

Sipas tij, problem në vete nuk është vetëm ndotja e ambientit, por edhe mungesa e një strategjie dhe veprimi se si do të parandalohej kjo gjë.

“ Në vendet si: SHBA, Kinë, Indi e Arabi Saudite, po investojnë që të rregullojnë këtë çështje, ku vetëm Kina po mbjell me miliona hektarë drunj për gjelbërim, etj”, ka theksuar Mustafa.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë në ora 20:10 në RTV Dukagjini dhe Telegrafi.com/Telegrafi/