Mustafa mbledhë sot Qeverinë për të diskutuar për “Planin B”

Qeveria e Kosovës do të nisë nga sot të mendojë për një planë tjetër, që mundëson krijimin e Gjykatës Speciale, pas dështimit për votimin e saj të premten në Kuvend.

Lajme

27/06/2015 09:50

Hapi i parë i kryeministri Isa Mustafa, do të jetë mbledhja që pritet ta mbajë sot me pjesën tjetër të kabinetit qeveritar.

Mbledhja e Qeverisë mbahet sot në orën 10:30, gjë që u paralajmërua dje nga vet kryeministri Mustafa.

“Pas konsultimeve me ekspertë juridikë, kam ftuar për nesër (të shtunën) mbledhjen e Qeverisë për të proceduar me zgjidhje të caktuara”, ka thënë ai.

Mustafa, po ashtu, ka pohuar se Qeveria Kosovës do të angazhohet që të përmbushë detyrimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka përmendur përcaktimin për ta ndërtuar një shtet me perspektivë europiane dhe euroatlantike , ndërsa ka pohuar se në këtë proces do të tregohet seriozitet për përmbushjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të aprovuara në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi, pas një debati të gjatë, të premten, nuk ka mundur t’i miratojë ndryshmet kushtetuese – të cilat do t’i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Me 75 vota për, 7 kundër, 2 abstenime, nuk ka kaluar Amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës. Për miratimin e tij, janë dashur dy të tretat e votave të deputetëve.

Por, 9 deputetë të PDK-së nuk kanë qenë të bindur për votimin e Gjykatës Speciale. Ata, më pas, janë kritikuar nga lideri i tyre Hashim Thaçi.

“Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror”, ka thënë ai.