Mustafa kritikon Qeverinë në detyrë për përkrahjen e ZRrE-së: Shtet kemi aq sa kemi ekonomi

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Qeverisë në detyrë dhe të ministrave të saj, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie dhe përkrahje të veprimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të cilat ai i konsideron të paligjshme dhe të dëmshme për sektorin privat. Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka…

Lajme

31/07/2025 18:40

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Qeverisë në detyrë dhe të ministrave të saj, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie dhe përkrahje të veprimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të cilat ai i konsideron të paligjshme dhe të dëmshme për sektorin privat.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka vënë në dukje se vendimet për liberalizimin e tregut të energjisë nuk janë në kompetencën e ZRrE-së, por duhet të jenë në përputhje me ligjet dhe vendimet e gjykatave që mbrojnë të drejtat e bizneseve dhe punëtorëve, raporton lajmi.net

Ai ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse nuk respektohen këto vendime, duke përmendur rrezikun për investimet, kreditë dhe stabilitetin e sektorit bankar.

“Shtet kemi aq sa kemi ekonomi. Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë:

“Sjellja e Qeverisë në detyrë dhe e ministrave në detyrë, pa kontroll parlamentar dhe pa pasur kujt ti japin përgjegjësi shihet më së miri tek nxitja dhe përkrahja e sjelljeve të ZRrE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit. Nuk i takojnë ZRrE-së vendimet për tregun e lirë të energjisë, siç shprehet ministrja e ekonomisë, por këto vendime i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, të cilat mbrojnë të drejtat e bizneseve, të punëtorëve të punësuar në to, të investimeve në këtë sektor, të mundësive të kthimit të kredive, me këtë edhe mbrojtjes së sektorit bankar dhe të konkurrencës. Ky Ligj parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg , në dobi të sektorit privat, jo në shkatërrim të sektorit privat. Duhet të ruhemi nga pasojat e mendësisë dhe veprimeve shkatërruese! Shtet kemi aq sa kemi ekonomi. Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë”./Lajmi.net/