Mustafa do të jetë kryeparlamentar

Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër nga koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, ka thënë se pika në aktgjykimin rreth seancës konstituive të 17 Korrikut, ku thuhet se “është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese...”, është ajo që e lë të hapur mundësinë e zgjidhjes së ngërçit politik.

Lajme

28/08/2014 10:54

Haradinaj, në një intervistë dhënë Kohës Ditore, ka thënë se në seancën konstituive, sapo të dështojë zgjidhja e kandidatit të PDK-së, deputetët e koalicionit (passzgjedhor) do të vihen në veprim.

Sipas tij, do të jetë Isa Mustafa ai që do të vihet në krye të Kuvendit. Dhe, nëse këtë do të përpiqet ta pengojë kryesuesja e Kuvendit, që është deputete e PDK-së, atëherë ajo do të ndërrohet me anë të një mocioni.

Lideri i AAK-së, ka thënë se në ditën e vazhdimit të seancës konstituive do t’i jepet fund ngërçit për krijimin e institucioneve të reja.  

Haradinaj ka kritikuar aktgjykimin e Kushtetueses dhe ka thënë t’i jetë dukur i lezetshëm opinioni i vëllait të tij, Dautit, që ka thënë se ky institucion është shndërruar në degë të PDK-së.

Ish-kryeministri në këtë intervistë, të  cilën mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës ditore, ka folur gjatë edhe për PDK-në, që sipas tij është ndarë në dysh – në partinë e Hashim Thaçit dhe atë të Kadri Veselit.