Mustafa: Blloku A3 sot ka dalë jashtë funksionit, me gjasë reale për t’u mos u rifunksionalizuar më kurrë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të sistemit energjetik në vend, duke bërë të ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” ka dalë jashtë funksionit – dhe sipas tij, ekziston rreziku real që ai të mos kthehet më kurrë në operim. Përmes një reagimi…

Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të sistemit energjetik në vend, duke bërë të ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” ka dalë jashtë funksionit – dhe sipas tij, ekziston rreziku real që ai të mos kthehet më kurrë në operim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Mustafa ka akuzuar menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për papërgjegjësi dhe neglizhencë të rëndë.
“Ka mbi dy vite që ekspertët në KEK kanë kërkuar një remont kapital urgjent për Bllokun A3, por kjo është refuzuar. Blloku është lënë të funksionojë në kushte të rrezikshme dhe të degraduara,” shkroi Mustafa.
Ai gjithashtu vuri në dukje se tenderi ende nuk është mbyllur, ndonëse është njëburimor dhe me negociata të drejtpërdrejta.
“Me gjasë sfiduese ndarja e pites,” shkroi Mustafa me ironi, duke sugjeruar se procedurat janë të mbushura me interesa të dyshimta.
Deputeti i LDK-së ka theksuar edhe barrën financiare që bie mbi shtetin sa herë që bie nga funksioni ndonjë bllok i termocentralit, pasi duhet djegur deri në 100 mijë litra naftë për rifunksionalizim, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë në rritje.
“Krejt kjo, në kohën kur ballafaqohemi me krizë të çmimeve të energjisë, krizë të ushqimeve, krizë mbi krizë. Rastësi a?!” përfundon Mustafa.