Musliu thotë se moscertifikimi i Listës Serbe ishte i domosdoshëm
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ka vlerësuar si hap të domosdoshëm moscertifikimin e Listës Serbe si parti garuese në zgjedhjet lokale, duke listuar një sërë arsyesh dëmtuese që kjo parti ia ka shkaktuar Kosovës. “Refuzimi i KQZ-së për ta certifikuar Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme lokale është një hap i domosdoshëm dhe vetëm…

Lajme
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ka vlerësuar si hap të domosdoshëm moscertifikimin e Listës Serbe si parti garuese në zgjedhjet lokale, duke listuar një sërë arsyesh dëmtuese që kjo parti ia ka shkaktuar Kosovës.
“Refuzimi i KQZ-së për ta certifikuar Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme lokale është një hap i domosdoshëm dhe vetëm sinjal se ky paradoks politik duhet trajtuar seriozisht. Organet tona të drejtësisë duhet të veprojnë urgjentisht, të hetojnë dhe të marrin masa konkrete kundër një subjekti që vepron brenda institucioneve të Kosovës, duke punuar haptazi për t’i shkatërruar ato”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Musliu ka ngritur paralele me deklaratën e zëvendëskancelarit të Gjermanisë, Lars Klingbeil, i cili ka kërkuar rishikimin e mundësisë së ndalimit të AfD-së, një partie të ekstremit të djathtë, tashmë të klasifikuar si organizatë ekstremiste nga agjencitë gjermane të inteligjencës.
“Nëse Gjermania mendon ta ndalojë AfD-në, Kosova ka arsye shumë më të forta për ta shqyrtuar Listën Serbe si kërcënim serioz për RKS. Pra, Gjermania, e cila është një nga demokracitë më të konsoliduara në botë, e sheh AfD-në si kërcënim serioz ndaj rendit kushtetues, për shkak të narrativave të saj nacionaliste dhe afërsisë me Kremlinin. Ndërsa Kosova, një shtet ende në proces të konsolidimit, ka brenda vetes një subjekt shumë të ngjashëm me AfD-në, Listën Serbe, e cila funksionon si instrument i Beogradit për të cenuar dhe penguar në çdo formë shtetësinë e Kosovës”, vazhdon Musliu.
Ai ka përmendur faktin që Milan Radoiçiq, si një nga personat më me ndikim në Listën Serbe, “është përgjegjës për sulmin agresor terrorist në Banjskë, si dhe për sulmet ndaj NATO-s (KFOR), Policisë, qytetarëve në veri pa dallim, gazetarëve, përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dyshimet për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc dhe shumë sulme të tjera në veri”.
“Lista Serbe nuk e ka fshehur asnjëherë qasjen sabotuese ndaj Kosovës; fakte dhe dëshmi të shumta gjenden gjithandej, që nga komunikatat e tyre publike e deri te veprimet terroriste, sabotuese e sistematike, që provokuan përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë. Kosova duhet të marrë shembull Gjermaninë, ku shteti nuk ngurron të shqyrtojë ndalimin e forcave që bllokojnë demokracinë dhe rendin kushtetues të shtetit të tyre”, përfundoi ai.