Musliu: Serbia stërvit paramilitarë rusë ngjajshëm me gupin e Radoiçiqit
Themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka akuzuar Serbinë se është shndërruar në një qendër operative të Rusisë për destabilizimin e Evropës dhe Ballkanit. Në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Musliu ka theksuar se Rusia po shfrytëzon territorin serb për të stërvitur grupe paramilitare që synojnë minimin e demokracive…

Lajme
Themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka akuzuar Serbinë se është shndërruar në një qendër operative të Rusisë për destabilizimin e Evropës dhe Ballkanit.
Në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Musliu ka theksuar se Rusia po shfrytëzon territorin serb për të stërvitur grupe paramilitare që synojnë minimin e demokracive evropiane, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore serbe.
“Serbia është shndërruar në territor ku Rusia, me infrastrukturën që i ofron Beogradi, stërvit lirisht grupe paramilitare për të destabilizuar demokracitë evropiane. A mund të ndodhte kjo pa miratimin e institucioneve serbe? Sigurisht që jo”, ka shkruar Musliu.
Ai shtoi se Beogradi me vetëdije lejon dhe përkrah këto aktivitete, pasi vet Serbia po vepron në mënyrë të ngjashme në rajon, përmes formimit dhe armatosjes së grupeve të armatosura, si ai që udhëhiqej nga Millan Radoiçiq.
“Serbia është partner strategjik i Rusisë në projektet më të rrezikshme të destabilizimit të Evropës dhe rajonit tonë, duke e shndërruar veten në hallkën kryesore të ndikimit rus në Ballkan”, përfundon Musliu.