Musliu kërkon hetim të plotë për dhunën policore ndaj qytetarëve në protestën e 5 tetorit: Të hetohet edhe zinxhiri komandues

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në foltoren e Kuvendit ka kritikuar sjelljen e policisë me protesutesit gjatë protestës së 5 tetorit kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe kërkesës për votimin e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara. Ajo ka thënë se në orët e mbrëmjes së 5 tetorit, dikush ka dhënë…

Lajme

15/10/2026 11:12

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në foltoren e Kuvendit ka kritikuar sjelljen e policisë me protesutesit gjatë protestës së 5 tetorit kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe kërkesës për votimin e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo ka thënë se në orët e mbrëmjes së 5 tetorit, dikush ka dhënë urdhër për përdorim të forcës policore ndaj qytetarëve që kanë dal për të protestuar.

“Kjo erdhi pas 20 ditë proteste, ku gra, vajza, djem e burra kishin protestuar në mënyrë paqësore me dinjitet e pa asnjë incident. Më 5 tetor, qytetarët u përballën me masë të madhe të gazit lotsjellës, me topa gome, ujë të ftohtë dhe skena të papara të dhunës fizike. Kjo situatë nuk ishte përgjigje ndaj një situate të krijuar nga protestuesit, por ishte një skenar i kurdisur për t’i provokuar qytetarët në shesh pa marrë fare në konsideratë se mund të rrezikohej jeta e atyre që po protestonin për një kauzë të shenjtë”, ka thënë Musliu.

Ajo ka thënë se ajo që pamë atë pasdite ishte e frikshme dhe e papranueshme.

“Përveç gazit lotsjellës, ujit të ftohtë dhe topave të gomës, kishte përndjekje të qytetarëve nëpër hapësira dhe kthina të ndërtesave dhe përdorim të shfrenuar të dhunës fizike. Shumë protestues, kryesisht veteranë të UÇK-së dhe fëmijë dëshmorësh që po protestonin atë ditë, u detyruan të marrin ndihmë mjekësore nga dhuna brutale e Policisë”, ka shtuar Musliu.

Ajo ka kërkuar nga IPK që hetimi i iniciuar të jetë i plotë, i pavarur dhe i paanshëm për të gjitha veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit.

“Kërkojmë të identifikohen të gjithë zyrtarët të përfshirë në përdorim të panevojshëm të forcës policore. Të hetohet jo vetëm polici që zbatoi urdhërin, por edhe i gjithë zingjiri komandues. Kush dhe nga ku u dha urdhëri për ndërhyrje? Kush e detyroi këtë operacion dhe kush e vlerësoi situatën për këtë ndërhyrje? Të sigurohet çdo provë tjetër që ndihmon në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nuk na duhen hetime veç sa për ta qetësuar opinionin publik, na duhet një hetim që identifikon përgjegjësitë dhe prodhon rezultate konkrete. Mos të keqpërdoret Policia e Kosovës”, ka thënë Musliu.

Ajo ka thënë se askush nuk e fajëson institucionin e Policisë si institucion, por askush nuk duhet të mbrohet nga përgjegjësia vetëm se ka veshur një uniformë policie.

“Detyra e përgjegjësisë është t’i mbroj qytetarët, jo të demonstroj dhunë ndaj tyre. E drejta për protestë është e drejtë që garantohet me Kushtetutën e Kosovës. Nga kjo foltore i detyroj qytetarët se do të angazhohemi me tërë kapacitetet që kjo çështje të mos mbyllet pa u zbardhur. Do të kërkojmë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi konkrete për atë që ndodhi me 5 tetor. Nëse IPK nuk e kryen detyrën e tij, duhet ta krijojmë një komision hetimor parlamentar, jo vetëm për 5 tetorin por edhe për trajtimin e kësaj ngjarje nga organet kompetente.  Ka ardhur koha e përgjegjësisë dhe llogaridhënies për secilin që mendon se ta kesh pushtetin është ta kesh shtetin në pronësi private”, ka shtuar Musliu. /Lajmi.net/