Murtezaj kritikon lidershipin: Si është e mundur ky abrogim? LDK duhet t’i kthehet frymës rugoviane

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Valon Murtezaj, ka bërë një reagim publik, duke denoncuar faktin se për 1 vit e gjysmë (18 muaj) nuk është thirrur asnjë mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të partisë – organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet dy kuvendeve. Murtezaj ka shkruar se kjo situatë përbën shkelje të rëndë të…

Lajme

24/11/2025 21:25

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Valon Murtezaj, ka bërë një reagim publik, duke denoncuar faktin se për 1 vit e gjysmë (18 muaj) nuk është thirrur asnjë mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të partisë – organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet dy kuvendeve.

Murtezaj ka shkruar se kjo situatë përbën shkelje të rëndë të Statutit dhe një goditje ndaj demokracisë së brendshme të LDK-së, pasi – sipas tij – ky organ ka përgjegjësinë ekskluzive për të përcaktuar qëndrimet politike të partisë.

“Kjo ishte mundësia e fundit që një anëtare apo anëtar i Këshillit të Përgjithshëm… të vendosin përcaktimin e qëndrimeve të LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike”, thekson ai.

Murtezaj ngre pyetjet: “Si është e mundur? Pse po e bëjnë këtë abrogim?”

Në postimin e tij në Facebook, ai shtron pyetje të drejtpërdrejta për lidershipin aktual:

“Si është e mundur që kjo të ndodhë?”, “Pse e bëjnë këtë abrogim menaxhuesit aktualë të LDK-së?”.

Murtezaj thekson se, sipas Statutit, vetëm Këshilli i Përgjithshëm mund të marrë vendime madhore politike, përfshirë qëndrimet e LDK-së në raport me shtetin, Kuvendin dhe Qeverinë.

“Kriza më e rëndë politike që nga pavarësia – Kosova një vit pa qeveri dhe pa Kuvend efektiv”.

Ai e lidh këtë mosfunksionim të organeve të LDK-së me gjendjen e përgjithshme në vend, duke e quajtur krizën aktuale institucionale “më të rëndën në Kosovën e pavarur”.

“Po bëhet një vit që Kosova nuk ka qeveri efektive, dhe as Kuvend efektiv. Kjo është pasojë e palidershipit politik dhe egos vetjake”, shkruan Murtezaj.

Thirrje për rikthim te vlerat e Rugovës.

“Prijësi Rugova dhe themeluesit krijuan LDK-në në vlerat e paqes dhe demokracisë; u përkushtuan deri në flijim për Kosovën.”

Murtezaj nënvizon se sot LDK-ja duhet të jetë: e vërtetë, intelektuale, e patjetërsuar, me moral dhe etikë të qëndrueshme.

Ai paralajmëron se demarkacioni mes demokracisë dhe autokracisë është zhvendosur, duke e quajtur drejtimin aktual “oligarkik”.

“Demokracia marshon – dhe nuk mund ta ndalë askush”, ka shkruar ai.