Murati në Japoni, Aliu në Panama, Latifi “turist”: Vizitat “paushalle” të ministrave çudisin opinionin

Bujë të madhe ka bërë një vizitë e kryeministrit Kurti në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe. Por, opinioni është çuditur edhe më shumë nga shoqëruesi që i pari i Qeverisë ka zgjedhur ta ketë me vete. Ai është ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati. “Pse…

Lajme

28/09/2022 11:12

Bujë të madhe ka bërë një vizitë e kryeministrit Kurti në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe. Por, opinioni është çuditur edhe më shumë nga shoqëruesi që i pari i Qeverisë ka zgjedhur ta ketë me vete. Ai është ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Pse mos të shkojë ministrja e Jashtme, apo nuk kemi ministre të Jashtme?”. Kjo ishte pyetja që parashtroi dje nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, për vizitën e bujshme të Kurtit e Muratit në Japoni.

Çitaku, si ish-ambasadore u shpreh e çuditur se si në këtë vizitë po merr pjesë Kurti me ministrin e Fnancave, ani pse nuk është njoftuar se mund të ketë ndonjë takim ku Murati mund ta ndjejë veten kompetent ta përfaqësoj Kosovën.

“Sigurisht që një delegacion i lartë nga Kosova do të duhej të ishte sot në Japoni për të marrë pjesë në ceremonitë mortore. Ministrja e jashtme për shembull. Apo nuk kemi Ministre të Jashtme?”, shkroi Çitaku.

Në lidhje me këtë çështje shkroi dje edhe drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj. Ky e cilësoi “në rregull” pjesëmarrjen e Kurtit. Por, edhe Miftaraj sikurse Çitaku, u shpreh i habitur me prezencën e Muratit në Japoni.

“Shumë në rregull që Kryeministri merr pjesë në funeralin e ish-kryeministrit të Japonisë! Po çka ka me kërku Hekuran Murati, ministri i financave në Japoni? A ka shpjegim?”, shkroi Miftaraj.

E jo veç Çitaku e Miftaraj, por aktivistë të shumtë të shoqërisë civile reaguan për këtë veprim të Muratit, që sidoqoftë, nuk përbën të parin e këtij lloji nën Qeverinë Kurti.

Qershorin e vitit të kaluar, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, papritmas kishte vizituar një shtet të largët që lidh Amerikën Latine me atë Qendrore, Panamanë.

Çudia e kësaj vizite qëndronte në faktin se ai atje shkonte me deputetin e VV-së, Mefail Bajqinovci, për të marrë pjesë në një forum të Inteligjencës e Sigurisë, ani pse tema nuk ndërlidhej asgjë me fushëveprimtarinë e dikasterit të tij.

“Forumi Parlamentar i Inteligjencës dhe Sigurisë është forumi kryesor ndërkombëtar i sigurisë në botë, që ofron ekspertizë dhe bashkëpunim midis Parlamentarëve dhe zyrtarëve qeveritarë për të rritur kuptimin e aleatëve të Shteteve të Bashkuara për kërcënimet e ndryshme globale si krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi, siguria kibernetike, investimet e huaja grabitqare, shpërlarjen e parasë, ndarjen e inteligjencës, 5G dhe tema të tjera të rëndësishme për siguri, mbrojtje dhe inteligjence”, shkruante Bajqinovci kur njoftonte për vizitën e tij e Aliut në Panama.

E për këtë reagonte edhe Valon Syla, gazetar e publicist.

“Hajde Mefi ka qef mu marrë me intelegjencë… por çka ka lyp Liburn Aliu aty, nga Ministria që s’ka lidhje me intelegjencë. Edhe pse Liburni s’ka publikuar asgjë. Pse pe mshef vizitën në Panama, vendi ku CIA amerikane disa herë ka alarmuar se në këtë vend shpërlahen paratë”, shkruante Syla.

Pa dyshim, kur është puna tek vizitat “paushall”, “kampioni” i tyre është Rifat Latifi.

Në rrjetet sociale së fundmi kanë plasur shakatë me ministrin e Shëndetësisë, të cilat në formë ironike qëndrimet e Latifit në Kosovë i cilësojnë si “pushime”.

“Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pak turizëm n’Greqi. Vizitat koti të ministrit koti nuk kanë fund. Siç nuk kanë fund as dokrrat e tij. Ndërkohë, pacientëve me kancer në Kosovë nuk iu sigurohet terapia, e të tjerët vuajnë për ilaçe e shërbime. Gërditshëm”, shkruante analisti i mirënjohur Imer Mushkolaj, para pak ditësh.

Kritikat e shumta e talljet siç duket kanë ndikuar edhe tek vet ministri Latifi i cili para disa ditësh foli për temën në fjalë.

Sipas “arsyetimit” të Latifit, gjendja në shëndetësi nuk zgjidhet brenda natës.

“Gjendja emergjente në shëndetësi ka qenë qe disa vite dhe do të vazhdoj të jetë edhe për disa vjet, nëse ju gazetar ose dikush tjetër dini me rregulluar shëndetësinë brenda natës ose disa muajve ejani ju pres me kënaqësi”, tha ai. /Lajmi.net/