​Murati: Do ta rishikojmë buxhetin muajin e ardhshëm

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se posa të miratohet buxheti për vitin 2026, synojnë ta rishikojnë muajin e ardhshëm. Shefi i kuletës së shtetit tha se buxheti i sivjetshëm vjen më shumë si arsye e emergjencës, pas vonesave dhe krizës politike gjatë tërë vitit të kaluar. “Në mbledhjen e parë si qeveri e re,…

Lajme

16/02/2026 11:36

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se posa të miratohet buxheti për vitin 2026, synojnë ta rishikojnë muajin e ardhshëm.

Shefi i kuletës së shtetit tha se buxheti i sivjetshëm vjen më shumë si arsye e emergjencës, pas vonesave dhe krizës politike gjatë tërë vitit të kaluar.

“Në mbledhjen e parë si qeveri e re, që ta procedojmë projektligjin ashtu siç ka qenë, duke mos reflektuar domosdoshmërisht tash për tash ndryshimet e nevojshme për të gjitha prioritetet dhe strukturën e qeverisë, por këtë ta bëjmë në një rishikim të pastajmë. Ky projektligj është ai që është miratuar më 31 tetor të vitit të kaluar, ashtu siç e ka paraparë ligji. Tabelat janë të ngjashme, por e vetmja gjë që ndryshon ka të bëjë me pagën e 13-të, që është paraparë jo në fund të vitit, por të bëhet në fillim të vitit. Çështja tjetër që është paraparë është ndryshimi i tabelave në ligj sa i përket dikastereve, kur qeveria e miraton rregulloren e qeverisë. Do ta sjellim rishikimin sa më shpejt që të jetë i mundur, potencialisht muajin e ardhshëm, pasi të ketë reflektim edhe të dikastereve të qeverisë dhe komunat kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë.”

Ai në seancën e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i parë i projektbuxhetit tw vitit 2026, tha se buxheti është rreth katër miliardë euro.

“Këto shpenzime ndahen në kategori kësisoj: paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 358 milionë euro si dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, 870 milionë euro të financuara nga buxheti i rregullt dhe 100 milionë euro të tjera nga klauzola e investimeve”, shtoi ai.

Mbështetje miratimit të buxhetit nw Kuvend i dhanë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.