Mungon kryetari i trupit gjykues, dështon gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të Urbanizmit në Gjilan dhe të tjerëve

Mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Maliqi, ka bërë që të dështojë seanca e së premtes në rastin kundër drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Valon Shefkiu, dhe tre zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, Milot Shkodra, Baki Azemi dhe Bahrije Shaqiri, tani të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

16/03/2018 10:41

Anëtari tjetër i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Borovci, ka deklaruar se Naser Maliqi ka rast vdekje dhe për këtë arsye nuk ka mundur të marr pjesë në këtë seancë.

Seanca e radhës është caktua të mbahet më 30 prill 2018, nga ora 9:00.

Ndryshe, kjo seancë kishte dështuar të mbahej edhe më 28 shkurt të këtij viti, pasi kishte munguar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Borovci, me arsyetimin se gjendej në një seminar jashtë vendit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, po akuzon të pandehurit Valon Shefkiu, Milot Shkodra, Baki Azemi dhe Bahrije Beqiri, se gjatë vitit 2015, kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, raporton betimiperdrejtesi.com.

Sipas aktit akuzues, tani i akuzuari Valon Shefkiu, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Milot Shkodra si shef i inspeksionit të ndërtimit, ndërkaq të pandehurit Baki Azemi dhe Barije Beqiri si inspektorë të ndërtimit, me qëllim që vetes apo tjerëve tu sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, kanë lejuar që në qytetin e Gjilanit të ndërtohen shumë objekte kolektive banesore dhe afariste në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.