“Mund të kemi krizë, vendi mbetet pa buxhet”, “akoma mund të jap kontribut për Kosovën” – Tri deklaratat e Osmanit pas takimit me liderët e partive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të sotëm me liderët e partive politike, ka deklaruar se konsultimet për formimin e qeverisë së re janë zhvilluar në përputhje me obligimin e saj kushtetues, ndërsa theksoi se afati për vendimin përfundimtar për mandatarin e ri skadon më 5 nëntor. “Gjatë këtij takimi që është ftuar në…
 
                        Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të sotëm me liderët e partive politike, ka deklaruar se konsultimet për formimin e qeverisë së re janë zhvilluar në përputhje me obligimin e saj kushtetues, ndërsa theksoi se afati për vendimin përfundimtar për mandatarin e ri skadon më 5 nëntor.
“Gjatë këtij takimi që është ftuar në përputhje me obligimin tim kushtetues, që t’i konsultoj partitë parlamentare, diskutuam për një sërë çështjesh, kryesorja sigurisht ishte obligimi në bazë të nenit 95, pika 4 e Kushtetutës, që këto konsultime të ndodhin para caktimit të mandatarit tjetër dhe diskutuam në rrjedhë të kësaj nëse dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline e kanë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se në takim pati qëndrime të ndryshme nga përfaqësuesit e partive politike, disa prej të cilëve thanë se nuk kanë mundësi për të krijuar shumicë, ndërsa të tjerë kërkuan që të ketë takime të reja, raporton lajmi.net
“Disa prej përfaqësuesve kishin qëndrim që nuk mund të krijojnë shumicë, kishte edhe qëndrime që të takohemi sërish për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri, megjithatë sipas Kushtetutës, institucioni i Presidentes i ka 10 ditë deri në marrjen e vendimit, në qoftë se mandatohet mandatari i dytë apo jo. Ky afat skadon me 5 nëntor. Deri me atë datë, unë do të komunikoj sërish me kryetarët e partive…”, tha ajo, duke shtuar se vendimi final do të merret brenda këtij afati.
Osmani theksoi se do të vazhdojë kontaktet me partitë politike për të shmangur një krizë të mundshme institucionale dhe financiare, që sipas saj mund të ndodhë nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet me kohë apo vendi mbetet pa buxhet.
“Do të jem në kontakt me partitë politike në ditët në vijim për të parë nëse ekziston një mundësi e tillë, në mënyrë që të parandalojmë një krizë e cila është e mundshme… dhe qytetarët pa mënyrën e vetme të mbijetesës”, u shpreh ajo.
Presidentja gjithashtu bëri të ditur se në takim u ngritën shqetësime lidhur me procedurat për propozimin e një buxheti të ri nga Qeveria, ndërsa theksoi se, nëse është e nevojshme, ajo vetë mund të procedojë zgjatjen buxhetore në Kuvend.
“Kishte shqetësime rreth procedurave, është neni 79 i Kushtetutës, atë detyrim ta marrë unë dhe si presidente t’i procedojë zgjatjet buxhetore, meqë nuk i kam të drejtat e kufizuara”, tha Osmani.
Sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja, dhe pozitën e saj si Presidente – ajo u shpreh se çdo gjë do të varet nga rezultati i konsultimeve deri më 5 nëntor.
“Sa i përket zgjedhjeve, tash të shohim se si do të procedojmë pas 5 nëntorit është e vështirë të dihet a do të ketë mandatar tjetër, a do t’i marrë votat mandatari tjetër, mos të paragjykoj situatën. Unë e kam thënë një gjë të qartë se do t’i shërbej qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga cili pozicion, do të jem në Kosovë, do të vazhdoj të punoj për Kosovën, besoj që akoma mund të jap kontribut, por atë vlerësim në fund të fundit e japin qytetarët, ata nuk gabojnë”, tha ajo./Lajmi.net/
 
                                                       
                                                       
                                                      