Muja tregon orientimet kryesore se ku pritet të kontribuojë buxheti për vitin 2025
Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, janë katër orientimet kryesore se ku pritet të kontribuojë buxheti për vitin 2025. Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja derisa ka bërë prezantimin e projekt buxhetit ka deklaruar se në kuadër të buxhetit për shëndetësi…
Lajme
Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, janë katër orientimet kryesore se ku pritet të kontribuojë buxheti për vitin 2025.
Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja derisa ka bërë prezantimin e projekt buxhetit ka deklaruar se në kuadër të buxhetit për shëndetësi për herë të parë përfshihen shpenzime mbi 100 milionë euro për barna esenciale.
Ndërsa, ka theksuar se gjykuar sipas një niveli të qeverisjes, projektligji parasheh që buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro, në ndërkohë që 788 milionë euro i dedikohen nivelit lokal, komunave.
“Shpenzimet e propozuara në kuadër të ligjit përfshinë vlerën prej 3 miliardë e 607 milionë euro. Këto shpenzime mbështetën në të hyra buxhetore në vlerë prej 3.3 miliardë euro, nevoja për financim përfshijnë një bilanc negativ prej 300 milionë euro, borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin e ligjit për ndarje buxhetore deri në fund të vitit 2025 parashihet të jetë 21.1 për qind në raport me GDP-në. Gjykuar sipas klasifikimit ekonomik, projektligji parasheh 1.2 miliardë euro shpenzime në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. 916 milionë euro shpenzime në paga dhe mëditje, 930 milionë euro për investime kapitale dhe 536 milionë euro për mallra dhe shërbime. Gjykuar sipas një niveli të qeverisjes, projektligji parasheh që buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro, në ndërkohë që 788 milionë euro i dedikohen nivelit lokal, komunave. Projektligji për ndarje buxhetore i’u është dërguar deputeteve me kohë, qeveria po ashtu e ka proceduar në Kuvend me kohë, dhe ne si komision i’u kemi rekomanduar deputeteve që ta miratojnë këtë projektligj në parim në mënyrë që të hapen afatet për shqyrtim dhe trajtim të projektligjit”, ka thënë Muja.
Në emër të Grupit Parlamentar, Muja ka renditur prioritet që parashihen me buxhetin e vitit 2025.
“Sot po e paraqesim buxhetin e vitit 2025 dhe janë katër orientime kryesore se ku do të kontribuojë ky buxhet. E para është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe në fund qeverisja e mirë. Këto janë katër prioritete që ky buxhet i trajton në themel. Në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik do të shpenzohen mbi 500 milionë euro në kategori të ndryshme. Në kuadër të trajtimit të këtij prioriteti të rëndësishëm përfshihen investime thelbësore në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, por edhe përmirësimin e komunikimit me rrjetet pan evropiane të transportit. Autostrada Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, lidhja Prizren-Tetovë, por edhe lidhjet Plavë-Deçan-Plavë, dhe Pejë-Rozhajë parashihen të jenë prioritete të rëndësishme në kuadër të investimeve infrastrukturore. Ajo që është po ashtu e rëndësishme, është që buxheti prioritizon energjinë e ripërtritshme dhe investimet për t’i bërë bizneset tona më konkurruese dhe për të përshpejtuar transformimin digjital si formë e rritjes së konkurruesmërisë së industrive të ndryshme në Kosovë”,nënvizoi Muja.
Ai ka shtuar se projektbuxheti parasheh 25 milionë euro për punësim të garantuar për ata që kyçen për herë të parë në tregun e punës.
“Projektbuxheti parasheh 25 milionë euro për punësim të garantuar për ata që kyçen për herë të parë në tregun e punës. Në kuadër të prioritetit për përmirësim të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale buxheti parasheh buxhet rekord për shëndetësinë, e tejkalon 370 milionë euro, që është rreth 160 milionë euro më shumë shpenzime në shëndetësi krahasuar me kohën kur ne nuk ishim në pushet. Në kuadër të buxhetit për shëndetësi për herë të parë përfshihen shpenzime mbi 100 milionë euro për barna esenciale”, tha ai.