MSh: Nuk ka sigurime shëndetësore pa u ndryshuar ligji

Mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore nuk filloi as këtë muaj. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se sigurimet shëndetësore nuk do të fillojnë pa u ndryshuar ligji për sigurime dhe pa u themeluar institucionet e reja. Shtyrjen e afatit për mbledhjen e premiumeve shëndetësore e kishin kërkuar edhe përfaqësuesit e bizneseve dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.

Lajme

09/07/2017 14:43

Qytetarët e Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar mbesin pa sigurim shëndetësor. Mbledhja e premiumeve, pas shumë shtyrjeve, edhe në korrik nuk filloi. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, kjo shtyrje erdhi ngase ligji për sigurimet shëndetësore u dërgua për plotësim-ndryshim.
“Para se të binte Qeveria dhe të shpërbëhej Kuvendi, Ministria e shëndetësisë kishte dërguar Ligjin për sigurime shëndetësore në Kuvend, për disa ndryshime të vogla, por të cilat janë të rëndësishme që të mund të fillojë mbledhja e premiumeve për sigurimin e obliguar shëndetësor. Kështu që, është e kuptueshme që do të ketë shtyrje të procesit.”
Zëdhënësi Hoti, i tha Radio Kosovës se akoma nuk dihet se kur do të fillojë procesi i sigurimeve shëndetësore. Sipas tij, për shtyrjen e fillimit të sigurimeve shëndetësore kishte kërkesa nga përfaqësuesit e bizneseve dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
“Kishte disa kërkesa nga disa organizata joqeveritare, nga Oda Ekonomike Amerikane, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, që kërkonin që për një kohë të shtyhet fillimi i këtij procesi. Ata i kishin disa rezerva rreth këtij procesi. Ndërsa vendimin se kur do të fillojë mbledhja e premiumeve, do ta marrë qeveria e re.”
Besim Kadrija, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, tregon për Radio Kosovën disa nga arsyet se pse kjo shoqatë kishte kërkuar shtyrjen e fillimit të mbledhjes se premiumeve shëndetësore.
“Ligji si ligj, ka shumë mangësi. Mungojnë një varg i madh i rregulloreve dhe akteve administrative, që ndihmojnë në funksionalizimin e këtij fondi. Të gjitha këto e bëjnë të pasiguritë mbledhjen e premiumeve për sigurime shëndetësore.”
Pas dështimit edhe të një korrikut si datë e fillimit të mbledhjes së premiumeve, tani Ministria e Shëndetësisë, paralajmëron se një datë e re do të caktohet nga qeveria e re. /RTK/