MPJD: Sot hapet ambasada e Republikës së Kosovës në Malajzi
Sot hapet ambasada e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur të Malajzisë, duke shënuar një moment të veçantë dhe një hap të rëndësishëm në angazhimet e Kosovës për forcimin e lidhjeve me vendet e Azisë Juglindore dhe zgjerimin e pranisë së saj diplomatike në këtë rajon strategjik, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.…

Lajme
Sot hapet ambasada e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur të Malajzisë, duke shënuar një moment të veçantë dhe një hap të rëndësishëm në angazhimet e Kosovës për forcimin e lidhjeve me vendet e Azisë Juglindore dhe zgjerimin e pranisë së saj diplomatike në këtë rajon strategjik, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në një postim në Facebook të MPJD-së theksohet se Malajzia ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe se hapja e ambasadës në kryeqytetin e saj përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të ndërsjellë për të avancuar bashkëpunimin dhe për të thelluar marrëdhëniet e ndërtuara mbi respektin dhe mirëkuptimin reciprok.
“Hapja e Ambasadës në Kuala Lumpur nuk është vetëm një zgjerim i pranisë sonë diplomatike, por edhe një shprehje konkrete e vullnetit tonë për të ndërtuar ura miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi me një nga rajonet më dinamike në botë. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë dhe të përkushtuar për ta çuar këtë partneritet në nivele të reja”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ambasada e Kosovës në Kuala Lumpur synon të shërbejë si një urë e re bashkëpunimi në fushat e diplomacisë, tregtisë, shkëmbimeve kulturore dhe përkrahjes së qytetarëve të Kosovës në këtë pjesë të botës, thuhet tutje në njoftim.
E në këtë shtet sot është pritur me nderime të larta shtetërore, presidentja e vendit, Vjosa Osmani.