MPJD jep detaje nga lirimi i Behar Preniqit nga paraburgimi në Serbi: Diplomatët tanë ishin të pranishëm në seancë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar për lajmi.net lirimin e shtetasit të Kosovës, Behar Preniqi, nga paraburgimi në Serbi. Ai është liruar të enjten, më 5 nëntor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit lirues nga Gjykata e Lartë e Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës. Në përgjigjen për lajmi.net, MPJD-ja ka bërë…
Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar për lajmi.net lirimin e shtetasit të Kosovës, Behar Preniqi, nga paraburgimi në Serbi. Ai është liruar të enjten, më 5 nëntor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit lirues nga Gjykata e Lartë e Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës.
Në përgjigjen për lajmi.net, MPJD-ja ka bërë të ditur se diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa i kanë ofruar asistencën e nevojshme Preniqit dhe familjarëve të tij gjatë procedurave të lirimit dhe kthimit në Kosovë.
Sipas ministrisë, Preniqi është nisur drejt Kosovës së bashku me familjarët e tij menjëherë pas përfundimit të seancës.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është e informuar zyrtarisht për lirimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Behar Preniqi. Diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore në të cilën është shpallur aktgjykimi lirues ndaj tij. Seanca për rastin e z. Preniqi është mbajtur dje, të enjten, më 5 nëntor 2026, në Gjykatën e Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, i ka ofruar asistencën e nevojshme z. Preniqi dhe familjarëve të tij gjatë procedurave të lirimit nga paraburgimi, si dhe në procesin e kthimit në Republikën e Kosovës. Z. Preniqi, së bashku me familjarët e tij, është nisur nga Beogradi drejt Republikës së Kosovës me të përfunduar seanca. Që nga momenti i arrestimit të tij, më 2 gusht 2025, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar vazhdimisht, në kuadër të kompetencave dhe mundësive të saj, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të kontribuar në garantimin e të drejtave të tij dhe në ndjekjen e një procesi të drejtë gjyqësor. Arrestimi i tij, ka qenë arbitrar dhe me prapavijë politike, e ka privuar padrejtësisht nga liria dhe është konsideruar si një veprim me implikime edhe ndaj shtetësisë së Republikës së Kosovës. Zyra Ndërlidhëse ka informuar në vazhdimësi misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe bashkëpunëtor të tjerë ndërkombëtarë, lidhur me arrestimin, zhvillimin e procesit gjyqësor, trajtimin e z. Preniqi gjatë qëndrimit në arrest dhe paraburgim, si dhe aspekte të tjera të rastit. Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me avokatët mbrojtës dhe familjarët e z. Preniqi, ka qenë e pranishme në të gjitha seancat gjyqësore dhe e ka vizituar atë rregullisht gjatë qëndrimit në burg dhe paraburgim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së./lajmi.net/