MPJ synon ndërkombëtarizimin e shtetit, përmes anëtarsimit në organizata botërore
Për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës është shumë e rëndësishme lidhja e sa më shumë marrëveshjeve me shtete dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Lajme
Në këtë ministri thonë se përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, po synohet fuqizimi e marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme të botës, nga të cilat më së shumti përfitojnë qytetarët e Kosovës.
Fokus i veçantë në këtë vit, sipas zyrtarëve të saj, është nënshkrimi i marrëveshjeve për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, ato për integrimet evropiane dhe për fushën e drejtësisë dhe sigurisë.
“Deri më sot janë nënshkruar rreth 200 marrëveshje me shtete të ndryshme të botës, që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha përmes postës elektronike, për KosovaPress, Ardian Arifaj, këshilltar politik në MPJ.
Arifaj deklaron se janë edhe rreth 150 marrëveshje ndërkombëtare që janë iniciuar nga Ministria e Jashtme dhe ministritë e linjës, që janë në proces të nënshkrimit, derisa gjatë vizitave dhe takimeve që zëvendëskryeministri Thaçi ka pasur me homologët e këtyre shteteve, sipas tij, vëmendje e posaçme i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik.
Në këtë drejtim, Arifaj tha se janë nënshkruar edhe disa marrëveshje konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve mike. Por, një pjesë e madhe e këtyre marrëveshjeve kanë një rëndësi të posaçme edhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, në këto vitet e fundit janë nënshkruar edhe shumë marrëveshje që kanë të bëjnë me riatdhesim, me bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
“Ne kemi iniciuar një numër shumë të madh të marrëveshjeve, ku në baza të rregullta kërkojmë nga ministrit tona ta linjës dhe nga Ministritë e Punëve të Jashtme në shtetet mike, që të përshpejtojnë procedurat e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve”, tha Arifaj