Petkoviqit iu refuzua kërkesa për vizitë në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme tregon arsyen

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar se i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë, drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Kosovës Petar Petkoviq. Në një përgjigje për lajmi.net nga Ministria e Jashtme u tha se ky vendim është marrë për shkak të shkeljes së marrëveshjes për…

Lajme

26/06/2024 13:45

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar se i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë, drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Kosovës Petar Petkoviq.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Ministria e Jashtme u tha se ky vendim është marrë për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Zyra serbe pretendoi se i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

Kjo zyre gjithashtu pretendoi se vizita u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

Ndryshe serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”./Lajmi.net/