MPB vazhdon bashkëpunimin me EULEX-in dhe OSBE-në
Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni ka pritur sot në takime të ndara shefin e EULEX-it në Kosovë Gabriele Meucci dhe ambasadorin e OSBE-së në vend, Jean Claude Schlumberger, me të cilët ka biseduar për vazhdimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Lajme
Siç njoftoi MPB, në takimin me Meucci-n, është biseduar për sigurinë e vendit në përgjithësi, me ç’rast ministri Hyseni e ka siguruar shefin e EULEX-it për gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të agjencive të zbatimit të rendit dhe ligjit me misionin e EULEX-it.
Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci ka theksuar se do të vazhdojë të përkrahë MPB-në dhe strukturat e sigurisë në të gjitha format, ndërsa bashkëbiseduesit kanë garantuar angazhim të lartë të organeve të rendit në ofrimin e sigurisë dhe rendit në gjithë Republikën e Kosovës.
Në takim me ambasadorin e OSBE-së Schlumberger, Hyseni ka siguruar atë se bashkëpunimi i deritashëm me këtë institucion do të vazhdojë edhe në të ardhëm. Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të agjencive të zbatimit të rendit dhe ligjit me misionin e OSBE-së.
Ndërkaq, ambasadori Schlumberger, ka theksuar se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të përkrahë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe strukturat e sigurisë në të gjitha format, thuhet në komunikatat e MPB-së.