MPB e Maqedonisë shfaq videon nga aksioni policor në Malinë (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka publikuar të hënën video-incizimin e aksionit policor në fshatin Malinë të Karadakut të Kumanovës. Sipas versionit të MPB-së, aty janë gjetur armë dhe uniforma të UÇK-së e më pastaj janë arrestuar dy shqiptarë.

Lajme

27/04/2015 16:24

MPB e Maqedonisë pohon se ka gjetur dy pushkë automatike, dy snajperë, 10 pistoleta dhe municion për to, si dhe uniforma me emblemën e UÇK-së në shtëpinë e  një 55 vjeçari, banor i fshatit Brezë, transmeton portali Zhurnal.

Sipas MPB, dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte në incidentin që ndodhi më datë 21 të këtij muaji në fshatin Goshincë.

Në fshatin Banjan nuk është gjetur asgjë, tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Sipas saj, aksioni i djeshëm i MPB-së ka qenë i suksesshëm sepse është gjetur një pjesë e armatimit të vjedhur nga policia “nga 40 terroristë”.

MPB-ja tash për tash nuk ka informacion se ku është 55 vjeçari tek i cili janë gjetur armatimet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Jankullovska tha se edhe ish komandanti i UÇK-së, Mirsad Ndrecaj, i njohur në vitin 2001 si komandant NATO, i cili ditë më parë mori përsipër sulmin, është po ashtu një nga të dyshuarit kryesorë.

YouTube player