Mourinho – Del Bosque 1:0
Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho, doli fitues pasi selektori i Spanjës, Vicente del Bosque nuk e ftoi sulmuesin Diego Costa për ndeshjet e këtij muaji kundër Bjellorusisë dhe Gjermanisë.
Sport
Jose Mourinho e fitoi betejën e tij me Vicente del Bosquen pasi sulmuesi Diego Costa nuk është ftuar për ndeshjet e këtij muaji kundër Bjellorusisë dhe Gjermanisë.
Menaxheri i Chelseas dhe selektori i Spanjës janë përfshirë në një luftë verbale rreth Costas, ku portugezi insistoi se futbollisti nuk duhet të ftohej në Kombëtare për shkak se ka probleme fizike.
Dhe, ai duket se doli fitues në fund pasi Del Bosque nuk e ftoi sulmuesin për ndeshjet e ardhshme.
“Kam biseduar me mjekët dhe ata të Chelseas andaj kam vendosur që ta lë jashtë për shkak të gjendjes me lëndimin e fundit”, deklaroi Del Bosque gjatë një konference për shtyp.
“Ai mund të luajë në ndeshjen e ardhshme të Chelseas kundër Liverpoolit, por kjo nuk nënkupton se ai nuk ka ndodnjë problem me lëndim”, shtoi strategu i Spanjës.
Spanja takohet me Bjellorusinë më 15 nëntor në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016, kurse tri ditë më vonë zhvillon miqësoren me Gjermaninë.