Mourinho analizon Spanjën

Jose Mourinho thotë se kundërshtarët e kanë analizuar me vëmendje filozofinë e lojës së Spanjës, dhe kanë gjetur zgjidhjen kundër saj. Special One lavdëron strategjinë e Holandës dhe Kilit që mposhtën dhe eliminuan kampionin në fuqi.

Sport

19/06/2014 20:09

Jose Mourinho ka analizuar eliminimin e Spanjës në fazën e grupeve të Kampionatit botëror në Brazil.

Ai mendon se Spanja insistoi me stilin e lojës ‘tiki-taka’ sa që kundërshtarët kanë gjetur mënyrën se si t’i mposhtin.

Skuadra e selektorit Vicente del Bosque pësoi dy humbje të njëpasnjëshme në Grupin B nga Holanda dhe Kili andaj para duelit të fundit me Australinë, është e eliminuar.

“Njerëzit mësohen si të luajnë kundër skuadrave më të mira dhe kur ekipet më të mira gjithmonë luajnë me besimin se filozofia e tyre është më e mira, atëherë të tjerët mësojnë”, deklaroi Mourinho për Yahoo Sport.

“Ata bënë atë që mendoj se duhet bërë në futbollin modern, duhet të jeni strategjik. Holanda dhe Kili ishin shumë të mirë nga këndvështrimi strategjik dhe Spanja nuk mund të ballafaqohej me këtë. Spanja ka qenë e jashtëzakonshme në 4-6 vitet e fundit. Ata ishin të mrekullueshëm në mënyrën si kanë luajtur futboll që i ka mësuar njerëzit, njerëzit i kanë studiuar”, u shpreh ai.