Motrat e Mbretit Zog krijuan albumin e parë turistik të Shqipërisë

Viti 1938. Ahmet Zogu dhe familja e tij mbretërore në synimet e tyre për zhvillimin e vendit, krahas fushave të tjera të jetës ekonomike e sociale, tentuan rishtazi e në mënyrë modeste edhe një plan afatgjatë për turizmin, kryesisht në kontekstin e aplikimit të tij nga shqiptarët dhe të huajt, por edhe promovimin e resurseve turistike, bukurisë së natyrës, trashëgimisë etnokulturore, traditave, zakoneve e virtyteve të shqiptarëve.

Lifestyle

03/09/2015 13:46

Në fund të shek. XIX dhe gjatë dekadave të para të shek. XX, fshati Dardhë i Korçës ishte bërë një destinacion i turizmit, kryesisht për disa prioritete ekonomike, sociale e natyrore që ajo zotëronte. Së pari, ky fshat 18 km në juglindje të Korçës ndodhej në mes të pyjeve me bredha, pisha e ahishte malore në lartësinë 1350 m, kishte një bukuri natyrore të mrekullueshme, burime ujërash të ftohta e minerale kuruese, përparësi klimaterike shëndetësore, konvaleshente, çlodhjeje mendore e argëtimi. Nga pikëpamja urbanistike e arkitekturore, Dardha, me rreth 400 shtëpi e 2000 banorë, cilësohej jo si fshat, por si një qendër urbane, tepër origjinale e unikale, me shtëpi, rrugë, ujësjellës e kanalizime moderne për atë kohë, që i ngjante më shumë një qyteti të vogël, pasi aty zhvillohej edhe një jetë ekonomike e sociale me të gjitha elementet qytetare, ushtronin aktivitetin shumë forma paraindustriale dhe zejtare, ku mbizotëronin punishte të vogla private të të gjitha llojeve e profesioneve, si shërbimet, tregtia (dyqane, kafene, hotele, fotografë, këpucarë, hekurpunues, dërstila, batane, mullinj) zejtaria, përpunimi i produkteve blegtorale e bujqësore etj. Për arsye të emigracionit, fillimisht sezonal të burrave brenda Shqipërisë dhe në vendet e Ballkanit (dardharët kanë qenë përpunues mjeshtra të lëndës drusore të pyjeve, me ç’rast ka dalë edhe sentenca “e pret si me sëpatën e dardharit”) e, më pas, në ShBA (pothuajse të gjitha familjet kishin pjesëtarë të tyre në Amerikë), ata jo vetëm ndihmuan ekonomikisht familjet e tyre, por “importuan” edhe një mënyrë perëndimore jetese e konditash më komode familjare. Kështu, falë prirjes së tyre arsimdashëse (shkolla e parë në Dardhë është çelur që më 1768), emigrantët ndërtuan më 1924 shkollën më të madhe e më moderne të asaj kohe, rrugën automobilistike Dardhë-Boboshticë (Korçë), sollën makinat amerikane “Ford”, që përdoreshin si taksi në linjën Korçë-Dardhë, rikonstruktuan në mënyrë model bashkë me banorët rrugët me kalldrëm, ujësjellësin, krojet e çezmat, ndërtuan hidrocentralin që furnizonte me energji elektrike Dardhën, mirëmbajtën objektet e kultit ortodoks etj. Dardha, në kontekst të supremacisë turistike jo vetëm në rajonin e Korçës, por në të gjithë Shqipërinë ishte e njohur gjithashtu për kulturën tradicionale e virtytet humane, ku spikatnin kostumi i grave dardhare (xibuni), një prej perlave të kostumografisë shqiptare, po ashtu edhe vallja e kënduar e grave të Dardhës, si edhe kostumet tradicionale të burrave, që alternoheshin, sipas rasteve, me veshjet e stilit më modern perëndimor qytetar të kohës. Ballot, serenatat (nuk kishte djalë që të mos i binte kitarës apo mandolinës, aq sa shumica e grupeve muzikore, madje edhe Banda Kombëtare “Vatra” në SHBA e më pas në Korçë përbëhej nga dardharë e drejtohej po nga një dardhar, prof. Thoma Nassi, hareja, alegria, dasmat e ritet e tjera festive pagane e fetare, sidomos “ditët e emrave”, piknikët që lidheshin me nivelin e lartë kulturore të emancipuar qytetar ishin elemente atraktive që ndillnin natyrshëm kuriozitetin turistik masiv në këtë vend që dikush e ka quajtur edhe “Margaritari me emrin Dardhë”.

Po ashtu, tradita e një kulinarie të pasur e të larmishme karakteristike, ku spikat “lakrori me dy petë i pjekur në saç” apo “rakia e kumbullës së egër të zier dy herë, tipike për varietetin e kumbullave në atë zonë”, nikoqirllëku, rregulli, higjiena e pastërtia, kujdesi, bujaria, solidariteti, mikpritja, pra gjithçka që kishte të bënte me plotësimin e kushteve të shumëfishta turistike e kishin bërë diferencën dhe e kishin veçuar Dardhën si vendin më të preferuar turistik.

Janë këto disa nga prerogativat që qeveria mbretërore e asaj kohe, me nismën e vetë dardharëve, udhëzoi të botonte një album turistik dedikuar Dardhës, jo vetëm për ta promovuar atë, por edhe për të paraprirë egon e ambicien e saj për aplikimin e “industrisë” së turizmit si një degë e zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit.

Për hartimin e Albumit Turistik të Dardhës, me propozim të Entit Kombëtar të Turizmit, Bashkia e Korçës ngarkoi një komision të posaçëm të përbërë nga intelektualë të njohur si Kristaq Cipo – drejtor i Liceut Kombëtar, Anastas Mio – drejtor i Bibliotekës “Thoma Turtulli”, Stavro Skëndi – profesor, Vangjush Mio – profesor dhe piktor dhe Sterjo Spasse – shkrimtar, të cilët shkuan në Dardhë për të vizituar e vendosur rreth idesë dhe përmbajtjes së këtij albumi, gjetën material e foto sugjestionuese, vizituan disa nga pikat piktoreske në gjirin e “pyjeve fantastike” dhe paskëtaj hartuan brendinë, që në mënyrë sintetike dhe shumë elokuente pasqyronte realisht resurset natyrore, klimaterike, ekonomike, etnokulturore, humane e sociale të këtij fshati piktoresk e ideal për aplikimin e turizmit.

Albumi turistik “Dardha” përbëhet nga 32 faqe, në të cilat janë vendosur në mënyrë të alternuar një set fotosh e tekstesh nga natyra, mjediset urbano-arkitektonike, pamje të traditave etnokulturore e sociale të banorëve dhe shkrime të ndryshme, kryesisht konsiderata të autoriteteve dhe personaliteteve të atëhershme politike e administrative, kulturore e shëndetësore, poezi kushtuar Dardhës nga Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kutelit etj. Ballina e saj ka një pikturë anonime me ngjyra të një dardhareje të veshur me kostumin festiv dardhar në një mjedis dardhar.

Albumi hapet me një foto të motrës së Ahmet Zogut, princeshës Maxhide që kishte edhe atributin e Kryetares së Naltë dhe Patroneshës së Turizmit dhe përbri saj në faqen e dytë letrën e saj të shkurtër përshëndetëse drejtuar kryetarit të Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Dardhë e që mban datën 9 Maj 1938, ku përgëzohet iniciativa e këtij botimi, vlerësohet bujaria natyrore, klimaterike e virtytet e dardharëve dhe bëhet thirrje që kjo ndërmarrje të bëhet shembull edhe për zona të tjera turistike. Në faqen pasuese është fjala e shkurtër e Musa Jukës, kryetar i Entit Kombëtar të Turizmit dhe ministër i Punëve të Brendshme. Më tej vjen poezia e poetit të njohur Asdreni kushtuar Dardhës, ku ndër të tjera poetizohet:

 

Albumi i parë turistik i Shqipërisë

VERIMI NË DARDHË

….

Në do jetë o derëbardhë

Gjak në rrembat e shëndet

Mere rrugën shko në Dardhë

Ku ndjen gas me të vërtet.

Gjith katundi krahë-hapur

Me gëzim si mik të pret,

Tërë dyert janë hapur:

Ti hyn brenda si një mbret.

Lart ke mal të gjelbëruar

Lule-shtruar bukuri,

Erë pylli të qëruar:

Në qofsh plak të bën të ri 

Ke burime shkumbë-ergjëndi

Uji-i tyre që të ngjall,

Si dhe pamjet e ç’do këndi

Që të mbushin plot me mall!

Faqet verdha, faqet bardha

Dhe të dobtat mushkëri,

Prap të kuqe t’i bën Dardha

T’ep fuqi dhe lumturi!

Si për të sprovuar këtë trill poetik pason një përshkrim thuajse idilik i bukurive natyrore të Dardhës, i pyjeve fantastikë, i ujërave të ftohtë e të kristaltë, i vendeve të preferuara për shëtitje e piknikë, i vlerave dhe bujarisë të familjeve e shtëpive me çati plloçash të varura nën njëra-tjetrën që, nga Guri i Vjeshtës dhe Kisha e Shën Pjetrit, duken si “çerdhe orësh”. Gjithçka çlodhëse e përtëritëse!

Një foto e fotografit të njohur dardhar Thimi Raci në qendër të së cilës gjenden shkolla moderne (që do t’ia kishte zili edhe një qytet) e ndërtuar nga emigrantët dardharë të SHBA dhe Rumanisë më 1924, si dhe kisha e bukur e Shën Gjergjit e rindërtuar më 1839 shprehin simbolikisht prosperitetin shpirtëror, karakterin arsimdashës e besimdashës të këtij fshati plotësisht të krishterë, historia e të cilit fillon me qëndresën dhe rebelimin ndaj konvertimit fetar të Perandorisë Osmane.

Faqet 10-11 i rezervohen shkrimit të drejtorit të Liceut të Korçës Kristaq Cipo, në të cilin rikonfirmohen prioritetet turistike e bukolike të Dardhës, në qendër me sloganet “Cili viziton Dardhën një vit do ta vizitojë dy e tre e gjithë jetën”. Dhe “Çlodhu një muaj në Dardhë në do të zgjatësh jetën tënde”. Shkrimi shoqërohet me dy foto të kostumit dardhar të grave dardhare.

Dy faqe reklamash me pamje nga pyjet dhe komoditetet që mund të gjenden në Dardhë i përmbyllin ato me epigramën “Dardha, çudi e Zotit…”

Lasgush Poradeci përfaqësohet në këtë album me poezinë “Dashuri Dardhare”, e cila shoqërohet edhe me dy foto-një djalë e një vajzë të veshur me kostumet tradicionale të Dardhës:

 

DASHURI DARDHARE

Kjo mbrëmje plot me qetësi,

Kjo pamje plot me bukuri,

Kjo dehje plot me fshehtë[si.

Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri

Dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,

Dhe zemra bren e zjen në gji.

Si ndrin kështu, moj vashëri!

Si shkrin kështu, moj trimëri!

Si plas kështu, moj dashuri!

Kjo mbrëmje’e pamj’e dehje e fshetë,

Dhe vash’e trim’e zemr’e shkretë,

Si ndrin e shkrin e plas përjetë.

Ndërkaq edhe Mitrush Kuteli në esenë e tij të shkurtër, por plot kolorit “Dy fjalë përmi turismin”, pasi shpalos idetë e tij për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, me dhimbje në zemër e lot në sy shpreh nostalgjinë e tij për Dardhën, për këtë “çip parajse të zbritur në dhe” dhe për pamundjen e këtij mërgimtari që fati e ka hedhur fort larg e që rrallë mund të vijë këtu.

E kështu, faqe pas faqeje, nëpërmjet fotosh fantastike, mbresash, shkrimesh këshilluese, përparësish të mrekullive natyrore, klimaterike, shëndetësore, pasurive etnografike, folklorike, kulturore plotësohet tabloja e protagonizmit turistik të këtij visari kombëtar. Njeri pas tjetrit, dr. Qemal Jusuffati, drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë (Ay që viziton Dardhën nuk shkel në barnatore…), dr. Pandeli Glozheni (Era e Dardhës vlen më fort se qindra kuti e shishe me barna të sjella nga Evropa…), dr. Nusret Kokobobo, drejtor i Qendrës Hygjenike të Korçës, dr. Sali Zavalani, drejtor i Spitalit të Shtetit në Korçë (personalisht kam veruar vite me radhë familisht në këtë katund piktoresk dhe kam përfituar pa masë nga klima e shëndeçme e Dardhës…), dr. Th Zhusti, Andrea Ktona, sekretari Shoqërisë Dardhare “Bashkimi” në Bukuresht (Dardha, katundi im lindor), etj. krijohet vizioni i një realiteti të mrekullueshëm natyror, klimaterik, konvaleshent e turistik. Në faqen e fundit botohet një këngë autentike nga folklori i pasur i Dardhës:

FIJE NGA FOLKLORI I DARDHËS

Shamiverdha pika-pika

 

Ajde shami-verdha, o moj pika-pika,

Më vrave, të vraftë pika;

Ajde me dy mollë, o moj të godita,

Më vrave, të vraftë pika!

….

 

Dhe surpriza e fundit e këtij katalogu janë dy foto që paraqitin princeshat motra të Ahmet Zogut, Maxhidesë, Ruhijes e Sanijes gjatë një vizite në Dardhë, ku bie në sy jo vetëm kënaqësia e tyre që ndodhen aty, por edhe bujaria e mikpritja festive që banorët e Dardhës u kanë rezervuar atyre si përfaqësuese të familjes mbretërore. Mbresat e tyre nga kjo vizitë sigurisht kanë qenë edhe një nxitje dhe mbështetje më shumë për hartimin e albumit të parë turistik në Shqipëri që i takon Dardhës.

Botimi dhe printimi i këtij albumi autentik si dallëndyshja e parë e turizmit shqiptar është atribut i përbashkët i Shoqërisë Dardhare “Bashkimi”, Rumani dhe Shoqërisë “Shpresa”, Dardhë dhe u finalizua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në Atelierët e Tipografisë “ALBANIA” në Kostancë, Rumani në vitin 1938. 

 

◙ ◙ ◙ ◙

Dardhë, qershor 2015 

 

FOTOT:

  1. Pamje e dardhës rreth viti 1930
  2. Ballina e Albumit Turistik DARDHA
  3. Princesha Maxhide dhe Letra e saj në albumin e Dardhës.
  4. Letra e princeshës Maxhide drejtuar Kryetarit të Shoqërisë dardhare “Shpresa”
  5. Shkolla dhe kisha e fshatit në album.
  6. Inaugurimi i rrugës automobilistike Dardhë Korçë.
  7. Rrugicë e fshatit, kartolinë

8,9,10,11 Princeshat Maxhide, Ruhije e Sanie në Dardhë.

 

Letra e Princeshës dhe Patroneshës së Turizmit, Maxhide Zogu në f. 3 të Albumit:

Enti Kombëtar i Turizmit

Zyra e

N.S.M. Princeshës Maxhide

Patronesha dhe Kryetarja e Naltë

e Turizmit

                                                                                          Tiranë në 9 maj 1938

Zoti Kryetar,

                  Ju çfaq kënaqësinë time për nisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’illustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo nisjativë duhet të jetë shembull sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krjuar një lëvizje turistike të mbrendëshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë industritë e ndryshme të cilat influencojnë ardhjen e të huajve në vendin t’onë.

      Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me rëndësi. Jam e sigurt se nisjativa e Juaj do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem, dhe një sasi e madhe të shqiptarëve të cillët shkojnë për të veruar në viset e huaja, do ta mësojnë se në Atdheun T’onë gjinden vise shum më të bukura. 

Patronesha dhe Kryetarja e Naltë e Turizmit Maxhide Zogu Kryetarit të Shoqërisë “Shpresa” D a r d h ë. /Gazeta Standard/