Motra e madhe e Mona Lizës
Debatit gjysmëshekullor nëse Kryemjeshtri Da Vinci e kishte përfunduar këtë vepër ndonjëherë, me gjasë, po i vjen fundi. Mona Liza mund ta ketë një motër të madhe.
ShowBiz
Hulumtuesit italianë thonë se e kanë gjetur portretin e një gruaje fisnike me buzëqeshje enigmatike, të ngjashme me atë të Mona Lizës, që mund të jetë vepër e Leonardo da Vincit.
Portreti i Isabella d’Este, analizimi i të cilit me teknikën e karbonit ka dëshmuar se është pikturuar në fillim të shekullit 16, është zbuluar në kasafortën e një koleksioni privat në Zvicër, kurse autenticitetin e tij e ka vërtetuar eksperti kryesor për veprat e Kryemjeshtrit të Renesansës.
“Nuk ka dyshim që portreti është vepër e Leonardos”, ka thënë Carlo Pedretti, profesor i historisë së artit në Universitetin e Kalifornisë, i cili e ka analizuar pikturën më shumë se tri vite.
Nëse edhe analizat tjera vërtetojnë se është e tillë, dhe se është krijuar para Mona Lizës, piktura e gjetur do të mund t’i trondiste studimet akademike të veprës më të famshme artistike.
Ka 500 vjet që zhvillohen debate lidhur me çështjen nëse Kryemjeshtri e kishte përfunduar këtë vepër.
Me dimensione 61 x 46.5 centimetra, portreti paraqet profilin e fisnikes së njohur italiane Isabella d’Este. Kjo pikturë ka ngjashmëri të mëdha me pikturat tjera të Da Vincit – në pigmentin e ngjyrës dhe procesin e fisnikërimit të pëlhurës – konsiderohet version përfundimtar i skicës që gjendet në Louvre, së bashku me Mona Lizën.
“Ky është një transpozicion besnik i skicës së njohur, të bërë me shkumës. Është një zbulim senzacional”, shkruan Corriere Della Sera.
Sipas kësaj gazete, analizën e ka kërkuar një familje italiane, pronare e pikturës, e cila ka afro 400 vepra artistike dhe i ruan ato në qytetin zviceran Turgi, në kantonin Aargau.
Leonardo Da Vinci e kishte takuar për herë të parë Isabella d’Este në vitin 1499, në Mantova. Ajo ishte e njohur si adhuruese e madhe e artit, personalitet i rëndësishëm i renesansës italiane, stili i veshjes i së cilës ndikonte në gratë e Italisë dhe Francës.
A.M.