Mosrespektimi i vendimit për kufizim të orarit gjatë ditëve të nxehta, Inspektorati i Punës pritet të gjobisë 28 subjekte

Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka marrë vendim që për shkak të temperaturave të larta, të kufizohet orari i punës nga data (13.07.2024) deri më datë 20.07.2024 për disa kategori. Kufizim i orarit të punës përgjatë temperaturave të larta vlen për këto kategori: Gratë shtatzëna,…

Lajme

15/07/2024 14:46

Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka marrë vendim që për shkak të temperaturave të larta, të kufizohet orari i punës nga data (13.07.2024) deri më datë 20.07.2024 për disa kategori.

Kufizim i orarit të punës përgjatë temperaturave të larta vlen për këto kategori: Gratë shtatzëna, qytetarët me sëmundje kronike, si dhe ndalimi i punës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhej ndër të tjerash në njoftimin për këtë vendim.

Në lidhje me këtë vendim lajmi.net, ka kontaktuar Inspektoratin e Punës të cilët thanë se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po gjen zbatim në përgjithësi. Po ashtu nga Inspektorati i Punës u bë e ditur se janë duke e mbikëqyrur vazhdimisht se sa po zbatohet ky vendim i Qeverisë.

“Ju njoftoj se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po gjen zbatim në përgjithësi, por ne si Agjenci Ekzekutive e Inspektoratit Qendror të Punës jemi në terren nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit duke bërë mbikëqyrjen e zbatimit të tij tek pika 1,2 dhe 4 e këtij vendimi”, kanë thënë nga IQP-ja.

Sipas Inspektoratit të Punës vetëm gjatë ditës së shtunë inspektorët e punës kanë hasur në 28 subjekte ku kanë konstatuar se nuk është respektuar vendimi ku dhe pritet që ndaj këtyre subjekteve të shqiptohen gjoba.

“Ditën e shtunë 13 korrik inspektorët e punës kanë hasur në 28 subjekte ku kanë konstatuar se nuk është respektuar vendimi dhe rrjedhimisht do të shqiptohen gjoba ndaj këtyre 28 subjekteve. IQP po vazhdon edhe sot dhe do të vazhdoj deri me 20 Korrik, deri kur është edhe vendimi në fuqi, që të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit te tij|”, u tha tutje në përgjigjen e Inspektoratit.

Ndër të tjera nga Inspektorati i Punës u tha se tani për tani ka mbi 60 inspektorë të punës, dhe se këtë vit planifikohet që të rekrutohen edhe inspektorë të rinj të punës.

“Inspektorati Qendror i Punës aktualisht ka mbi 60 inspektorë të punës, dhe këtë vit planifikojmë që të rekrutojmë inspektorë të rinj të punës”.

Ndryshe gjatë ditës është bërë e ditur se shkelje më të mëdha të vendimit të Qeverisë së Kosovës ka pasur në sektorin e ndërtimtarisë.

Po ashtu nga Inspektorati është theksuar se aty është edhe më i lehtë identifikimi pasi shihet me sy se a janë duke punuar apo jo.

Po ashtu edhe për gratë shtatzëna të cilat janë duke e vazhduar punën Inspektorati tashmë ka marrë informacione të shumta.

Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.

Ndryshe temperaturat tejet të larta në vendin tonë janë duke vazhduar edhe sot. Sipas Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat sot arrijnë deri në 38 gradë.

Mot i ngjashëm pritet të mbajë edhe përgjatë kësaj jave.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht janë dhënë këshilla se si qytetarët të mbrohen nga temperaturat e larta dhe nga rreziku që mund t’u kanoset në shëndet si shkak i kësaj nxehtësie padyshim vështirë të përballueshme.

IKSHPK ka kërkuar që qytetarët të shmangin daljet jashtë dhe po ashtu të mos bëjnë aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës./Lajmi.net/