Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe, DnV: Përvoja tregon se vendimet e tilla, anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave

Demokracia në Veprim, ka shprehur shqetësimin e saj pasi dje KQZ nuk i ka certifikuar kandidatët për deputetë të Listës Serbe, pavarësisht që siç thotë DnV, ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente. Nga DnV kanë thënë se procesi i certifikimit është fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, që duhet të bazohet në…

Lajme

11/12/2025 10:56

Demokracia në Veprim, ka shprehur shqetësimin e saj pasi dje KQZ nuk i ka certifikuar kandidatët për deputetë të Listës Serbe, pavarësisht që siç thotë DnV, ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente.

Nga DnV kanë thënë se procesi i certifikimit është fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, që duhet të bazohet në kritere ligjore dhe në praktika të konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, e jo në vendimmarrje të motivuara politikisht.

“DnV vlerëson se ky është tashmë rasti i disatë ku KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme. Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor”, kanë thënë nga DnV.

Ata kanë sqaruar se kompetencën për të verifikuar kanddiatët nëse i kanë plotësuar kushtet apo jo, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të subjekteve politike.

“Sipas neni 27 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Zyra i rekomandon KQZ-së për ose kundër certifikimit. Zyra këtë veprim e ndërmerr pasi që shqyrton listat e kandidatëve. Sipas Ligjit, kompetenca e KQZ-së në këtë rast është vetëm formale për ta votuar dhe miratuar vendimin e një trupe profesionale të KQZ-së. Për më tepër, sipas nenit 30 të ligjit, përshtatshmëria juridike e kandidatëve vlerësohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve relevante, filtër ky i përmbushur nga kandidatët e subjektit në fjalë. DnV rikujton se administrimi zgjedhor kërkon vendimmarrje profesionale, të pavarur dhe në pajtim me ligjin, dhe u bën thirrje anëtarëve të KQZ-së, që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritanishme”, thuhet tutje në reagim. /Lajmi.net/