Mos e sulmoni Policinë e Kosovës

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, deklaron se Policia e Kosovës nuk meriton “sulme të ulëta politike” duke ju referuar deklarimeve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se kushdo që sulmon Policinë, bën shkelje të rëndë.

Lajme

07/02/2014 19:21

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, ka dalë në mbrojte të Policisë së Kosovës, tashmë kur përleshjet mes saj dhe studentëve që po protestojnë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës janë ashpërsuar.

Ai thotë se kushdo që sulmon Policinë e Kosovës, bën një shkelje të rëndë dhe të pafalshme.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Ramadani thotë se Policët e Kosovës nuk duhet sulmuar politikisht, duke ju referuar deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila veprimet e PK sot gjatë protestës së studentëve para Rektoratit e quajti sjellje sadiste.

“Në momentet më të vështira për secilin prej nesh, ajo çka na bie ndërmend më së pari është Policia e Kosovës. ‘Thirre Policinë’ është reagimi i parë i secilit”.

“Policët nuk janë robotë. Janë njëjtë sikur ne, por kanë një punë më specifike për të bërë”.

“Krejt çka nuk e meritojnë policët e Kosovës është pikërisht sulmet e ulëta politike. Nuk po arrij të kuptoj përse një parti politike po bën çmos që të njollosë policët e Kosovës?”

“Prandaj, edhe një herë ftoj secilin në Kosovë që të mos sulmojnë policët e Kosovës! Kjo është shkelje e rëndë dhe e pafalshme”, ka shkruar në Facebook, Burim Ramadani.