Momente kritike, ish-ambasadori Spahiu: Kosovës i mungon lobimi në Kongres, Evropa të mos pres ndihmë nga SHBA-ja
“Në një moment kur na duhet më së tepërmi, na mungon lobimi në Kongres”. Me këto fjalë, ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu kritikon mungesën e një angazhimi të mirëfilltë të Kosovës për lobim ndërkombëtar, veçanërisht në Uashington. Derisa kujton se periudha menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ishte karakterizuar nga…

Lajme
“Në një moment kur na duhet më së tepërmi, na mungon lobimi në Kongres”.
Me këto fjalë, ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu kritikon mungesën e një angazhimi të mirëfilltë të Kosovës për lobim ndërkombëtar, veçanërisht në Uashington. Derisa kujton se periudha menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ishte karakterizuar nga mbështetja e fuqishme nga Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan, ish-diplomati thekson se tani, angazhimi është më i rëndësishëm se kurrë.
Ish-diplomati Avni Spahiu thekson se edhe ndryshimet gjeopolitike bëjnë që ky angazhim të jetë jashtëzakonisht i nevojshëm.
“Ne edhe në atë periudhë kemi angazhuar kompani të ndryshme të lobimit në Uashington, si ‘Destra’, ‘Proboks’ e të tjera që kanë ndihmuar në këtë aspekt. Fatkeqësisht, tani nuk kemi diçka të tillë në Uashington. Në një moment kur na duhet më së tepërmi, na mungon lobimi në Kongres. Kongresi gjithmonë ka qenë mirëkuptues ndaj Kosovës, madje në vitet ’90, kur ne përjetonim represion dhe rreziqe të ndryshme që na vinin nga Serbia, nga një regjim i tmerrshëm. Dhe aty ka filluar çdo gjë, kemi pasur në atë kohë lobim nga komuniteti i cili vazhdon të bëjë përpjekje për afrim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj që pikërisht tani është momenti që ne të intensifikojmë gjitha këto përpjekje, të përpiqemi të kthejmë kredibilitetin e plotë që kemi pasur”, thotë Spahiu.
Sipas tij, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane nën administratën e presidentit Donald Trump, po sjellin një doktrinë të re me synimin për ta rikthyer Amerikën si forcë udhëheqëse në arenën ndërkombëtare. Spahiu shton se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mos pres gjithmonë ndihmën e SHBA-së.
Vetë administrata Trump paralajmëroi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi, ndërsa së fundi Bashkimi Evropian u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë kontinentin që të grumbullojnë ushqime, ujë dhe sende të tjera thelbësore që zgjasin të paktën 72 orë pasi lufta, sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet rrisin shanset për një krizë.
“Tani shumë herë ndodh që doktrinat e reja të përcillen edhe me probleme, dhe shpresoj që kjo të kalojë me sa më pak trauma. Tani bota po pret se çfarë do të ndodhë. Disa vende kanë marrë disa masa, e shohim Evropa tani është para një egocentrizmi, që dëshiron të marrë fatin në dorë të vet në aspektin e sigurisë jo siç qa ka qenë në 80 vitet e fundit që Amerika të qëndrojë për të si një garanci e sigurisë. Mendoj që tani ka ardhur koha që Evropa të jetë më e fortë, të jetë e gatshme të përballet me sfidat që e presin e të mos i pret gjërat të vijnë të gatshme nga SHBA”, thotë ish-ambasadori Avni Spahiu.
Ai flet edhe për ndryshimet që po e presin botën.
“Nga ana tjetër do të ndryshojnë shumë gjëra edhe në aspektin e gjeopolitikës, do të kemi një rifokusim të Amerikës në rajone të ndryshme të botës, do të ketë qasje të ndryshme ndaj shumë vendeve, ndaj shumë krizave, dhe tani duhet të pritur se çfarë do të jenë ato, është pikëpyetje t’i dimë të gjitha, por flasim në bazë të indikacioneve, shpalimeve që bënë kjo administratë që nga dita e parë, tani nuk kanë kaluar as dy muaj të plotë dhe e shohim se çfarë dridhjesh ka shkaktuar kjo qasje e re e SHBA-së”, shton ai.
Ish-ambasadori Avni Spahiu është i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO, duke mohuar kështu zërat që paralajmëronin të kundërtën.
“Nuk mendoj se kjo do të ndodhë, janë disa gjëra që obligojnë çdo administratë amerikane, janë disa pika prej të cilave ata nuk heqin dorë. SHBA janë pjesë e misionit të NATO-s, nuk janë vetëm, ndonëse kanë rol parësor në forcat e KFOR-it, por nuk shoh asnjë arsye që Shtetet e Bashkuara të bëjnë këtë. Presidenti Trump ka kërkuar nga aleatët që t’i rrisin shpenzimet dhe gjërat nuk janë aq alarmante që ne të brengosemi në këtë aspekt. Nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen, kjo dobëson edhe pozicionin e tyre si superfuqi. Nëse SHBA tërhiqet nga vatrat e krizave kush do t’i zëvendësojë, këto ndryshime gjeostrategjike, gjeopolitike do të ishin të paparashikueshme. Prandaj nuk shoh atë rrezik që do të shpaloset tani apo në të ardhmen”, thotë Spahiu.
Ish-diplomati flet edhe për zhvillimet në Serbi, ndërkohë që thekon se ky vend nuk ka treguar shenja të vullnetit të mirë për të zgjidhur madje as çështjet humanitare, siç janë të pagjeturit.
Derisa kritikon regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai thekson se Beogradi duhet të ndryshojë qasjen për të pasur një normalizim të mirëfilltë me Kosovën.
“Unë pres që do të ketë përpjekje si deri më tani, do të ketë incidente për të mbajtur gjendjen e tensionuar, nuk do të ketë sulm të tillë që do të shkaktonte një konfrontim të përmasave më të gjera midis dy vendeve. Mendoj se Serbia do të vazhdojë me politikën e vetë agresive ndaj Kosovës. Nuk mendoj se regjimi i sotëm serb bënë përjashtim nga regjimet e mëparshme totalitare, dhe këtu kam ndërmend edhe regjimin e Millosheviqit dhe siç e dini në atë kohë ka pasur protesta dhe trazira. Ndryshimet që i duhen Serbisë nuk janë madje as në programin e opozitës që kërkon rrëzimin e qeverisë së Vuçiqit sepse kërkohet një demokratizim i plotë dhe një ndarje përfundimtare nga e kaluara nacionaliste e regjimit të sotëm ndaj regjimeve të kaluara. Kjo nuk është diçka që mund të presim në të ardhmen, mund të ketë një qeveri tjetër që do të ndryshojë strategjinë por jo mentalitetin, dhe kjo është për të ardhur keq”, shprehet ish-ambasadori Avni Spahiu.
Ish-diplomati Avni Spahiu flet edhe për rëndësinë e Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës të cilin aktualisht e udhëheq.
“[Këshilli] Duhet të shihet si një burim ndihme për shtetin dhe jo si opozitë ndaj tij”, shprehet ai derisa shton se ish-ambasadorët mund të japin kontribut të vyer për çështje esenciale për vendin.