Molliqaj: Astriti nuk vdiq në spital, ai u dërgua i vdekur
Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në konferencën e jashtëzakonshme për media, ka deklaruar se aktivisti tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, nuk ka vdekur në spital.

Lajme
“Një javë më parë, me kërkesën e tij ai i ka bërë analizat, kanë tregu që nuk vuan nga asnjë problem, e konfirmuar dhe zyrtare është se ai nuk ka përdorur barna”, tha Molliqaj.
“Astriti nuk ka vdekur në spital, ai është dërguar i vdekur në spital”, është shprehur ai.
“Gjithëçka është në duart e institucionit. Çkado që ndodh në burg, është gjithmonë përgjegjësi e institucionit, pra kemi persekutimin nga regjimi dhe papërgjegjësi nga institucioni konkret. ”
Sipas Molliqajt, ajo që ndodhi dje nuk ishte fatkeqësi, të gjithë njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë që s’ka të bëjë asgjë me fatkeqësinë.
Ai i ka cilësuar deklaratat e insitucioneve të ngutshme dhe kontradiktore. “Shërbimi korrektues i Kosovës deklaron se Astriti vdiq në spital, kryeprokurori deklaron për vdekje të dyshimtë, policia deklaron se vdiq nga barnat”, deklaroi mes të tjerash, sekretari organizativ i VV, Dardan Molliqaj.
“Ishte një rezultat i persekutimit të pashoq që ky regjim ia bën çdo studenti, mësuesi, doktori e të tjerë qytetarë që e kundërshtuan këtë regjim, me rrahje, plagosje, gaz lotsjellës, arrestime së fundmi edhe me montime të rënda”, deklaroi ai.