Mogherini para takimit me kryeministrat: Ballkani Perëndimor të ec së bashku në rrugën integruese

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini do të takojë sonte për një darkë pune në Bruksel, gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme

24/05/2017 15:53

Para kësaj darke, Mogherini do t’i takojë ndaras kryeministrat në takime bilaterale. Dy prej kryeministrave, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe i Serbisë Aleksandar Vuçiq, janë në largim e sipër ndërsa nga Maqedonia në takim është ftuar Zoran Zaev, lideri Socijaldemokrat në cilësinë e mandatarit për kryeministër të ardhshëm të këtij vendi.

Mogherini ka thënë se i ka ftuar gjashtë kryeministrat, që janë në detyrë apo të caktuar, nga 6 vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar me ta për gjendjen aktuale në rajon, pastaj për të diskutuar se si ky rajon të ecë përpara dhe si mundet Bashkimi Evropian të forcojë perspektivën e normalizimit të raporteve dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Në prag të këtij takimi, Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se duhet të rritet bashkëpunimi mes këtyre vendeve, e po ashtu edhe bashkëpunimi me Bashkimit Evropian. Po ashtu, u shpreh ajo, duhet konsoliduar atë që shpesh i referohen si “fuqia transformuese e perspektivës së BE-së”, përkatësisht për qeverisjen e mirë, përfshirjen e shoqërisë civile dhe krijimin e një ekonomie dinamike.

“Ballkani Perëndimor është me të vërtetë një rajon i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, kur bëhet fjalë për sigurinë, për forcimin e parandalimit të radikalizmit, ku kemi një bashkëpunim të fortë me to (vendet ballkanike). Për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, për forcimin e kufijve tanë”, ka thënë Mogherini.

“Por edhe kur flasim, për atë që unë nuk do e quaj perspektivë evropiane e Ballkanit Perëndimor, pasi ata janë në Evropë, por perspektive e integrimit në Bashkimit Evropian për këto vende”, ka thënë Mogherini.

Shefja e Politikës së jashtme të BE-së ka deklaruar po ashtu se jo vetëm nga ajo, por edhe nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, si dhe tre presidentët e institucioneve të BE-së, presidenti i Këshillit Donald Tusk, ai i Komisionit Jean-Claude Juncker dhe Parlamentit Tajani, ka angazhim të fortë për të punuar së bashku me të gjashtë vendet e Ballkanit.

“Fuqia bindëse e BE-së i bën ata që të takohen këtu dhe i inkurajon për të punuar së bashku për mirëqenien e përbashkët dhe të rajonit në vete”, ka deklaruar ajo.

“I kemi parë zhvillimet e fundit, vështirësitë por dhe disa hapa inkurajues dhe është mirë gjithmonë që të takohemi për të diskutuar të gjithë së bashku për hapat që mund të ndërmarrim për të ardhmen për të ndërtuar një rajon me një nivel më të mirë mirëkuptimi dhe se si mund të ecim së bashku në rrugën Evropiane”, ka thënë Mogherini në prag të takimit me Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan REL.

Ky takim ka për qëllim edhe përgatitjen e Samitit për Ballkanin Perëndimore që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajt korrik.