Mogherini do ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi
Maja Kocijançiq, zëdhënëse në Komisionin Evropian, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas një kohe do të udhëhiqet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Lajme
Këto komente ajo i bëri sot në Bruksel, gjatë një konference për shtyp, e pyetur se a do ta udhëheqë dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë shefja në largim e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, meqë ajo i vazhdon bisedimet me Iranin deri më 24 nëntor.
“Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të krahasohet me bisedimet për Iranin. Në rastin e Iranit, kjo është një situatë e veçantë, ndërsa përkushtimi i Serbisë dhe Kosovës për dialog, që për qëllim e ka normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, është një proces që po vazhdon , i cili do të marrë një kohë të caktuar dhe do të udhëhiqet në mënyrë përkatëse nga përfaqësuesja e re për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe kolegët e saj”, tha Kocijançiq.