‘Modestia’ e Gazmend Muhaxherit
Pas deklaratës se do të qëndrojë në krye të komunës së Pejës deri në vitin 2054, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri vjen edhe me një tjetër deklaratë bombastike me të cilën ironizon me opozitën por edhe me kolegët e tij nëpër komunat e vendit.

Lajme
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë komunale të Pejës, pas akuzave të ashpra që i ka dhënë opozita e cila i është referuar raportit të fundit të auditorit të jashtëm, Muhaxheri mes tjerash, ka dhënë këtë përgjigje:
“Raporti i auditorit ka qenë tendencioz. Mund t’u them se unë kam qenë kryetari më i mirë në Kosovë për vitin 2014 sa i përket investimeve kapitale”, tha Muhaxheri.
Raporti i auditorit dhe deklarata e tillë e Muhaxherit pos që ka tensionuar opozitën, ka bërë që të reagojë edhe partneri i koalicionit, PDK.
Muhamet Halitaj nga PDK ka kërkuar që raporte të tilla si ky i auditorit të përgjithshëm, të merren seriozisht nga ana e ekzekutivit dhe e kryetarit.
Ndërsa Naim Sahiti nga AAK e ka përgëzuar Muhaxherin për vullnetin e tij që të qëndrojë si kryetar deri më 2054 dhe për epitetin dhënë vetës se është kryetari më i mirë në Kosovë.
“Ju përgëzoj për vlerësimet që i bëni vetes, por ju ftoj që të jepni dorëheqje, po hyjmë në zgjedhje dhe do e shikoni se ku do të mbeteni. Ju jeni qeverisje e ngelcanëve”, ka thënë Sahiti./KosovaPress/