MMPH-ja thotë se cilësia e ajrit është një ndër prioritetet kryesore të saj

 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë thotë se me vëmendje është duke ndjekur gjendjen e ajrit në Kosovë, gjatë ditëve të fundit.  Përkitazi me situatën, MMPH-ja ka bërë të ditur se është shprehur e gatshme për marrjen e masave dhe për përmirësimin e gjendjes.

Lajme

09/12/2016 13:57

Në kuadër të këtyre veprimeve tash disa ditë raportohet në baza ditore për cilësinë e ajrit për regjionin e Prishtinës, që konsiderohet si një ndër zonat me ndotjen më të lartë, dhe është shtuar informimi i qytetarëve përmes mediave dhe formave tjera të informimit.

Sipas MMPH-së, gjendja aktuale e cilësisë së ajrit, vjen si pasojë e një varg faktorëve duke përfshirë kushtet meteorologjike, emetimet e shtuara nga transporti, emetimet nga sektori i energjisë dhe nga  industria.

“Sipas informatave nga raportimet online, cilësia e ajrit është e ngjashme e në disa raste edhe më e rënduar në të gjitha qendrat e regjionit të Ballkanit dhe më gjerë. Për publikun e gjerë duam të bëjmë me dije, që sektori i ajrit dhe përmirësimi i cilësisë së tij  është një ndër sektorët me prioritet për MMPH. Përkundër kufizimeve buxhetore në sektorin e mjedisit, për vitin 2017, MMPH ka ngritur buxhetin për mirëmbajtjen e stacioneve monitoruese nga 60 mijë euro sa ishin në vitin 2016 në 150 mijë euro. Po ashtu janë planifikuar edhe 40 mijë euro për projektin e instalimit të softëerin qendror për informimin në kohë reale të publikut për cilësinë e ajrit”, ka bërë të ditur MMPH-ja në një komunikatë për media ecila ëhstë nëshkruar nga Ferat Shala, u.d. Ministër i MMPH.

MMPH po ashtu, thotë se ka hartuar edhe projekte tjera që përfshijnë inventarizimin e emisioneve në ajër dhe monitorimin e emisioneve në ajër nga impiantet me djegie të mëdha. Sipas tyre, një i tillë është ai me JICA, në vlerë prej 4 milion dollarë që pritet të fillojë së implementuari gjatë vitit 2017.  “Ky projekt do të ndihmojë edhe në modelimin e shpërndarjes së ndotësve në ajër që do jetë një bazë e mirë për marrjen e masave për reduktimin e emisioneve në ajër. Po vazhdon ngritja e kapaciteteve teknike dhe humane në sektorin e ajrit, ku gjatë vitit 2016 është shtuar numri i të punësuarve në këtë sektor dhe po ashtu në kuadër të riorganizimit të MMPH, Instituti Hidrometeorologjik do të ketë një sektor të veçantë për ajrin”.

Ministria ndër të tjera ka thënë se është duke u punuar edhe në përmirësimin e politikave në sektorin e ajrit. “Është duke u bërë amandamentimi i Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe është miratuar udhëzimi administrativ për burimet e lëvizshme të emisioneve, që aktualisht është në fazën testuese. Është punuar edhe në hartimin e Strategjisë për Cilësinë e ajrit, në hartimin e Planit të Veprimit për cilësinë e ajrit dhe në Planin e Veprimit për reduktimin e emisioneve në ajër”, thuhet tutje në komunikatës së MMPH-së.

“Po ashtu, vazhdon angazhimi për zbatimin e Ligjit për Lejet e Integruara Mjedisore, përmes së cilit operatorët ekonomik obligohen që të zbatojnë detyrimet e tyre në raport me mjedisin përfshirë edhe emisionet në ajër, dhe zotimet për përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit. Megjithëkëtë, cilësia e ajrit është sektor multidiciplinar dhe kërkon angazhim më gjithëpërfshirës të institucioneve relevante. Me këtë rast MMPH, kërkon nga ministritë e linjës si Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë, Ministria e Transportit, Doganat e Kosovës si dhe Pushteti lokal, që të angazhohen për ndërmarrjen e masave dhe implementimin e ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe udhëzimeve përkatëse, me qëllim të mbrojtjes së ajrit nga ndotja dhe përmirësimit të tij”.

MMPH, u bënë apel edhe qytetarëve që gjatë këtyre ditëve, të jenë më të kujdesshëm sidomos në përdorimin e automjeteve për transport, në përdorimin e lëndëve djegëse dhe në forma të tjera të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e tij nga ndotja.

“Duke vepruar së bashku, Ne do të kontribuojmë në mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe në mbrojtjen e shëndetit tonë”, përfundon MMPH-ja. /Lajmi.net