MKRS-ja ndanë 50 mijë euro për Federatën e Hendbollit të Kosovës

17:41 | 12 Shtator 2014

MKRS-ja ndanë 50 mijë euro për Federatën e Hendbollit të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka ndarë 50 mijë euro Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) me qëllim të mbështetjes financiare lidhur me mbulimin e shpenzimeve të karakterit pjesëmarrës që Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të zhvillojë për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian të Hendbollit.


Për ndarjen e 50 mijë eurove sot është nënshkruar Memorandum mes MKRS-së dhe FHK-së, i cili parasheh edhe obligimet e së cilës palë dhe qëllimet për çka do të shpenzohen këto mjete ku përfshihet mbulimi i shpenzimeve për garat kualifikuese të Përfaqësueses Seniore të Kosovës në të dy konkurrencat, të meshkujve dhe femrave, për garat kualifikuese të Përfaqësueses së Kosovës për grupmoshat U21 në konkurrencën e meshkujve, si dhe pjesëmarrjen e delegacionit të FHK-së në Kongresin e 12-të që organizon Federata Evropiane e Hendbollit që do të mbahet në Dublin të Irlandës.

Ministri Memli Krasniqi theksoi se MKRS mbetet e përkushtuar që të ndihmojë FHK-në tashmë kur sporti i hendbollit ka hyrë në rrugën e plotë të ndërkombëtarizimit që si vend të përfaqësohemi sa më denjësisht dhe të arrijmë rezultate.

Nga ana e tij, kryetari Saraçini falënderoi MKRS-në për këtë mbështetje, duke thënë se me këtë po dëshmohet se shteti po e trajton sportin me një rëndësi të veçantë. Ai tha se po bëhen përgatitje të mëdha që të ketë një përfaqësim sa më të mirë.

Nënshkrimin në emër të MKRS-së e ka bërë Sekretari i Përgjithshëm, Veton Firzi, ndërkaq për FHK-në, kryetari Eugen Saraçini.